Ka diçka që nuk e merr dot me vete në valixhe, por që të ndjek kudo, pa zhurmë dhe pa kërkuar leje dhe ajo është,gjuha. Ajo nuk është një send që mund ta harrosh në një cep, as një dokument që mund ta zëvendësosh, por një mënyrë e të menduarit, një ritëm i brendshëm që të formon pa e kuptuar, një mënyrë për të ndërtuar kuptim dhe për të dhënë kuptim botës që të rrethon. Dhe kur largohesh nga vendi yt, ajo bëhet më shumë se një mjet komunikimi, bëhet një strehë e padukshme ku rikthehesh sa herë që ndihesh i huaj. Në këtë frymë u zhvillua Samiti IV i Diasporës në Shqipëri, duke vendosur arsimin në qendër të vëmendjes dhe duke rikthyer me forcë një pyetje që shpesh e shtyjmë për më vonë. Si mbahet gjallë gjuha shqipe kur jetohet larg saj, në një realitet që të fton çdo ditë të përshtatesh me një tjetër gjuhë, një tjetër ritëm dhe një tjetër mënyrë të të jetuarit? Në sallat ku u zhvilluan diskutimet, nuk u dëgjuan vetëm fjalë institucionale apo deklarata të zakonshme, por rrëfime të vogla që mbartnin brenda tyre një të vërtetë të madhe se historitë e fëmijëve që rriten mes dy gjuhësh dhe shpesh mes dy identitetesh, përpjekjet e prindërve që nuk duan të humbasin lidhjen me rrënjët, dhe mbi të gjitha përkushtimi i mësuesve që, shpesh në heshtje, mbajnë gjallë një trashëgimi që nuk ka çmim.
Mësuesit e diasporës nuk punojnë gjithmonë në kushte ideale dhe rrallëherë kanë atë mbështetje që do t’i bënte punën e tyre më të lehtë dhe më të qëndrueshme. Ata shpesh japin mësim në ambiente të huazuara, në fundjavë, pas një jave të gjatë pune, duke u përballur me lodhjen, mungesën e materialeve dhe një organizim që ende kërkon shumë për t’u konsoliduar. Megjithatë, ajo që i mban nuk është komoditeti, por një bindje e thellë dhe e palëkundur se çdo fjalë shqip e mësuar nga një fëmijë është një lidhje që nuk këputet, një urë që nuk shembet lehtë. Në këtë kuptim, roli i tyre shkon përtej mësimdhënies klasike, sepse ata nuk mësojnë vetëm alfabetin apo rregullat gramatikore, por përcjellin një mënyrë të të qenit, një ndjenjë përkatësie dhe një vetëdije që nuk duhet të humbasë, sidomos në një mjedis ku gjithçka tjetër të shtyn drejt asimilimit të plotë.Megjithatë, përtej përkushtimit individual dhe historive frymëzuese, sfidat mbeten reale dhe kërkojnë më shumë se thjesht vullnet,ato kërkojnë strukturë, koordinim dhe vizion afatgjatë. Fëmijët e diasporës jetojnë në një tension të vazhdueshëm mes nevojës për t’u integruar në shoqërinë ku rriten dhe dëshirës për të ruajtur identitetin e tyre, dhe shpesh, në këtë ekuilibër të brishtë, gjuha është elementi i parë që zbehet.Mungesa e një kurrikule të unifikuar, mungesa e trajnimeve të vazhdueshme për mësuesit dhe një bashkëpunim ende i fragmentuar mes institucioneve janë disa nga çështjet që u ngritën në diskutime, duke treguar qartë se ruajtja e gjuhës nuk mund të mbështetet vetëm në përpjekje individuale, por kërkon një qasje të organizuar dhe të qëndrueshme.
Pavarësisht vështirësive, Samiti solli edhe një frymë shprese përmes nismave konkrete që synojnë të forcojnë mësimdhënien e gjuhës shqipe jashtë vendit, duke përfshirë krijimin e platformave digjitale që e bëjnë mësimin më të aksesueshëm, ndërtimin e rrjeteve të bashkëpunimit mes mësuesve dhe përpjekjet për standardizimin e materialeve didaktike.
Këto hapa, edhe pse ende në zhvillim, tregojnë se ekziston një vetëdije në rritje për rëndësinë e kësaj çështjeje dhe një përpjekje për ta kthyer atë në një prioritet real, jo vetëm në një temë diskutimi.Në një kohë kur globalizimi ka bërë që kufijtë të jenë më të hapur dhe identitetet më fluide, gjuha mbetet një nga elementët më të fortë që i jep një individi një ndjenjë orientimi dhe përkatësie. Gjuha shqipe nuk është thjesht një sistem fjalësh dhe rregullash, por një bartëse e kujtesës historike, e kulturës dhe e mënyrës se si një popull ka ndërtuar kuptim për botën për shekuj me radhë.Për një fëmijë të lindur dhe rritur jashtë Shqipërisë, njohja dhe përdorimi i gjuhës shqipe nuk është një barrë, por një pasuri që i jep mundësinë të ketë dy horizonte, të lëvizë mes dy botëve pa humbur lidhjen me asnjërën, dhe të ndërtojë një identitet më të plotë dhe më të qëndrueshëm.
Ruajtja e gjuhës shqipe nuk është dhe nuk duhet të mbetet vetëm një përgjegjësi e diasporës, sepse ajo është një çështje që prek vetë thelbin e identitetit tonë kolektiv; institucionet në Shqipëri kanë një rol të pazëvendësueshëm në këtë drejtim, duke ofruar mbështetje konkrete, politika të qarta dhe një prani më të fortë në jetën arsimore të komuniteteve shqiptare jashtë vendit.
Por pyetja që mbetet nuk është nëse gjuha shqipe do të mbijetojë, por sa e fortë dhe sa e gjallë do të jetë ajo në brezat që vijnë, dhe kjo varet drejtpërdrejt nga përpjekjet që bëjmë sot.
Sepse një gjuhë nuk humbet në një moment të vetëm dhe nuk shuhet me zhurmë,ajo zbehet ngadalë, në heshtje, në mungesë përdorimi dhe kujdesi, derisa një ditë rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i largët dhe ndoshta, mënyra e vetme për ta mbajtur gjallë është ta përdorim, ta mësojmë dhe ta duam çdo ditë, si diçka që nuk na është dhënë për ta pasur por për ta ruajtur.
Ndaje
