Mirë se vjen Pashkë e bekuar.

Ndaje

Ka një heshtje të veçantë në këtë mëngjes të së Enjtes së Madhe, një heshtje që nuk është bosh dhe as e rastësishme, por që mbart brenda saj kujtesë, besim dhe një lloj përqendrimi të butë e të thellë, që vetëm shtëpitë e vjetra dinë ta ruajnë dhe ta përcjellin pa zhurmë, nga një brez tek tjetri. Në çdo shtëpi ortodokse, dita nis me një ritual që në pamje duket i thjeshtë, por që në të vërtetë ka një domethënie të pasur dhe të shumëfishtë, ku zonjat e shtëpisë vendosin vezët në ujë dhe, ndërsa ngjyra e kuqe fillon të shpërndahet ngadalë, krijohet ajo ndjesia e një premtimi të lashtë që përsëritet çdo vit, me të njëjtën përkushtim dhe të njëjtën qetësi.Janë aq vezë sa ka frymë në atë shtëpi, sikur për secilin të ruhet një vend, një emër, një prani që e mban atë çati të gjallë. E para që ngjyroset nuk është thjesht një vezë që hap ritualin, por është “veza e shtëpisë”, ajo që vendoset mënjanë dhe ruhet me kujdes të veçantë, si një shenjë mbrojtjeje dhe bekimi, që në heshtje dhe pa shumë fjalë bëhet një lloj rojtar i padukshëm i familjes, një simbol që nuk kërkon shpjegim për të pasur peshë. Ngjyra e kuqe nuk është zgjedhur rastësisht, sepse ajo sjell kujtimin e sakrificës së Jezu Krishtit, por në të njëjtën kohë përcjell edhe një mesazh më të thellë dhe më të qetë, se jeta vazhdon pavarësisht gjithçkaje, se dhimbja mund të kthehet në dritë dhe se besimi, edhe kur nuk thuhet me zë, mbetet aty,në atë tenxhere të vogël ku zjejnë vezët, që ka më shumë se një proces gatimi, ka një histori që përcillet pa zhurmë, brez pas brezi, si një rrëfim i heshtur që nuk lodhet kurrë. Dhe ndërsa duart punojnë me një ritëm të qetë e të njohur, mendja shpesh largohet nga ky çast dhe shkon diku tjetër, te të munguarit që nuk janë më, te kujtimet e një tjetër të Enjteje të Madhe, ndoshta më e zhurmshme dhe më e mbushur me zëra, por që sot rikthehet vetëm përmes këtij rituali të thjeshtë, i cili, në mënyrën e vet, mban gjallë gjithçka që duket se ka kaluar. Sepse nuk janë vetëm vezët që ngjyrosen me të kuqe, por është vetë shtëpia që merr një nuancë tjetër, më të ngrohtë, më të gjallë dhe më të lidhur me diçka që nuk shpjegohet lehtë me fjalë, por që ndihet në çdo cep, në çdo gjest të vogël dhe në çdo kujdes të heshtur. Dhe kështu, mes të kuqes së vezëve dhe kësaj heshtjeje të mbushur me kuptim, Pashkët afrohen ngadalë, jo si një festë që shpërthen me zhurmë, por si një dritë që hyn butë në shpirt dhe që, pa bërë bujë, gjen gjithmonë rrugën e saj. Mirë se vjen Pashkë e Bekuar

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit