Këmbanat që vonohen.

Ndaje

Ndodhi përsëri edhe këtë Pashkë, si një përsëritje që nuk të habit më, por që të lë një shije të rëndë zhgënjimi, sikur çdo vit të largohet pak më shumë nga ajo që dikur e bënte këtë natë të gjallë dhe të shenjtë. Kambanat e Ringjalljes së Jezu Krishtit, që tradicionalisht duhet të bien në mesnatë, në atë çast ku nata ndahet nga drita dhe heshtja merr kuptimin e shpresës, këtë herë nuk e gjetën kohën e tyre të duhur dhe bashkë me këtë zhvendosje sikur u zbeh edhe vetë përjetimi i momentit. Shumë pak njerëz, dukshëm më pak se vitet e kaluara, dhe një atmosferë e ftohtë, pa atë emocionin e pritjes që e karakterizon këtë natë, krijuan një ndjesi boshllëku që nuk ishte thjesht vizual por thellësisht emocional. Zërat e priftërinjve u dëgjuan të mekur, pa atë forcë që dikur të prekte dhe të bënte të ndaleshe në heshtje, ndërsa flaka e Ringjalljes u shpërnda nga disa para orës 12, sikur gjithçka të kishte hyrë në një nxitim që nuk i përkiste aspak kuptimit të kësaj feste. Në 12:20 ranë më në fund kambanat, por në atë moment nuk ndjeva më kulmin e një pritjeje të gjatë, por thjesht një përpjekje të vonuar për të rikthyer diçka që tashmë kishte kaluar. Dhe aty, në mënyrë të qetë por të pashmangshme, më lindi një zhgënjim i brendshëm, jo ndaj njerëzve në mënyrë individuale, por ndaj mënyrës se si një përjetim që dikur ishte i gjallë, po shndërrohet ngadalë në një ritual të zbrazur nga emocioni i tij. Shpesh e gjej veten duke menduar se Kisha e Shën Todrit nuk e ka më atë frymën e dikurshme të mirëseardhjes, jo vetëm në kuptimin fizik, por në atë më të thellën,ku prania shpirtërore, ngrohtësia dhe përkushtimi krijojnë ndjesinë se je pjesë e diçkaje më të madhe se vetja. Edhe sheshi jashtë saj, që dikur mbushej me njerëz, me pritje dhe me një lloj drite kolektive, këtë vit mu duk i zbehtë, pothuaj i heshtur, sikur edhe vetë festa të mos kishte më fuqinë të thërriste njerëzit si më parë. Dhe kjo është ajo që më zhgënjen më shumë,jo vetëm mungesa, por normalizimi i mungesës, jo vetëm zbehja por pranimi i saj si diçka e zakonshme. E dua shumë këtë festë, jo vetëm për simbolikën e saj të Ringjalljes, por edhe për një arsye shumë personale që lidhet me emrin e tim eti, Anesti, që në vetvete mbart kuptimin e ringjalljes dhe vet jetës, dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye e ndjej më fort çdo ndryshim, çdo mungesë dhe çdo zbehje. Ky reflektim nuk lind nga zemërimi, por nga një zhgënjim i qetë që vjen kur kujtesa e asaj që ka qenë ndeshet me atë që po bëhet tani. Dhe ndoshta pyetja e vërtetë nuk është vetëm çfarë po ndodh me këtë natë, por çfarë po lejojmë të humbasë pa e vënë re, derisa një ditë të mos e njohim më as vetë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit