Ombrella në oborret mbretërore

Ndaje

Ka aksesorë që nuk mjaftohen me funksionin e tyre por zgjedhin të jetojnë gjatë në kujtesën e qytetërimeve, duke u kthyer në simbole të heshtura të elegancës dhe pushtetit dhe ombrella, në mënyrën e saj të qetë dhe thuajse poetike, është një prej tyre. Rrënjët e saj zhyten në mjegullën e kohërave të largëta, në Kinën e lashtë, aty ku legjenda përmend Yun-in, bashkëshorten e Lu Ban, si gruan që, me një ndjeshmëri të rrallë për formën dhe funksionin, krijoi një strukturë të lehtë prej letre të lyer me vaj, e cila nuk synonte të përballonte shiun, por të zbuste dritën e diellit mbi fytyrat e atyre që nuk duhej të preknin ashpërsinë e tij. Në këtë zanafillë, ombrella nuk ishte një nevojë, por një privilegj i rrallë, një hije që nuk i përkiste të gjithëve, por vetëm atyre që qëndronin një hap mbi të tjerët. Nga kjo Lindje e rafinuar, ajo udhëtoi drejt qytetërimeve që e kuptuan menjëherë gjuhën e saj të heshtur. Në Egjiptin e Lashtë, ku hijet e saj shoqëronin procesionet mbretërore si një shenjë e dukshme e hierarkisë,në Greqinë e Lashtë, ku u kthye në një aksesor të grave aristokrate gjatë festave dhe ritualeve dhe më pas në Romën e Lashtë, ku përdorimi i saj u bë një deklaratë e qartë e statusit shoqëror, shpesh e mbajtur jo nga vetë zonjat, por nga duar të tjera, duke e bërë edhe më të dukshme distancën mes atyre që komandonin dhe atyre që shërbenin.
Por ishte në Evropën e oborreve mbretërore që ombrella fitoi një dimension të ri, më të përpunuar, më të ndjerë, pothuajse teatral në mënyrën se si ndërthurej me jetën e përditshme të aristokracisë. Në France dhe Angli të shekujve XVI dhe XVII, ajo nuk ishte më vetëm një mburojë ndaj dritës apo shiut, por një element i domosdoshëm i koreografisë së elegancës, një detaj që plotësonte siluetën e një zonje po aq sa një fustan i qëndisur apo një palë dorashka mëndafshi. Në shëtitjet e gjata përgjatë kopshteve mbretërore, ku çdo hap dukej i menduar dhe çdo lëvizje kishte një ritëm të vetin, ombrella mbahej lehtë, pothuajse pa peshë, si një zgjatim i natyrshëm i dorës, ajo hapte një hapësirë intime mes zonjës dhe botës, një rreth të vogël hijesh ku drita filtrohej me delikatesë dhe ku bukuria ruhej nga tepria e saj. Ngjyrat dhe materialet e saj nuk ishin kurrë të rastësishme, por të zgjedhura me kujdes për të komunikuar pa fjalë,tonet e bardha dhe pastelët sugjeronin një finesë të brishtë dhe një jetë të mbrojtur nga ashpërsia e jashtme, ndërsa dantellat dhe qëndisjet e holla e shndërronin ombrellën në një objekt arti, ku funksioni dhe estetika bashkëjetonin në një ekuilibër të përkryer. Me kalimin e kohës, dhe me zhvendosjen e jetës drejt qyteteve si Londra dhe Parisi, ombrella nisi të marrë një rol më praktik, duke u bërë një mbrojtje e domosdoshme ndaj shiut të shpeshtë por edhe në këtë transformim, ajo nuk hoqi dorë nga identiteti i saj estetik, duke mbetur një tregues i shijes dhe një dëshmi e faktit se eleganca nuk zhduket por përshtatet. Një kthesë vendimtare erdhi në vitin 1928, kur Hans Haupt prezantoi ombrellën e palosshme, duke e bërë atë më të lehtë, më të përballueshme dhe më të pranishme në jetën e përditshme megjithatë, edhe pse u çlirua nga solemniteti i oborreve mbretërore, ajo ruajti një gjurmë të asaj bote të largët, si një kujtim i një kohe kur çdo detaj kishte një peshë simbolike.Sot, ndërsa ombrella hapet mekanikisht mbi trotuaret e lagura dhe mbyllet pa ceremoni në hyrje të ndërtesave moderne, ajo ende mbart, në një mënyrë të padukshme, hijen e atyre pasditeve të qeta në oborret mbretërore, ku zonjat nuk kërkonin thjesht të mbroheshin, por të shfaqeshin jo me zhurmë, por me një elegancë të përmbajtur që fliste më shumë se çdo fjalë.
Sepse ombrella nuk është vetëm një objekt që hapet mbi kokë, por një kujtesë që hapet në histori,një re e vogël që, për një çast, na rikthen në një botë ku stili ishte një mënyrë e të qenit dhe jo një zgjedhje e rastësishme.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit