Kodi i nderit pas dyerve të mëdha

Ndaje

A je ndodhur ndonjëherë përpara një porte të madhe druri, të rëndë në pamje dhe në kuptim, me doreza metalike të farkëtuara me kujdes, sikur vetë pronari i shtëpisë të kishte dashur të derdhte në to peshën e emrit dhe të statusit që mbante mbi supe? Një portë që nuk të fton të hysh menjëherë, por të ndal, të vëzhgon dhe, në një mënyrë të heshtur, të kërkon të kuptosh rregullat e saj para se të guxosh ta prekësh. Dhe pikërisht aty, në atë çast pezull mes jashtë dhe brenda, lind trokitja jo si një veprim i zakonshëm, por si një akt që mbart kuptim, masë dhe kujdes. Ka trokitje që nuk janë thjesht kërkesa për të hyrë, por një gjuhë e tërë e heshtur që rrëfen për kohën, zakonet dhe njerëzit që i kanë krijuar. Në portat e mëdha të shtëpive të vjetra të Lindjes, sidomos gjatë periudhës së Perandoria Osmane, dera nuk ishte vetëm një kufi fizik, por një filtër i hollë mes botës së jashtme dhe një intimiteti të mbrojtur me kujdes, një prag që nuk kalohej pa respektuar një rend të padukshëm. Në ato dyer të rënda prej druri, të gdhendura me durim dhe mjeshtëri, qëndronin dy doreza, jo thjesht si element dekorativ, por si një kod i pashkruar komunikimi që fliste pa zë. Njëra, më e madhe dhe më e rëndë, prodhonte një tingull të fortë, të prerë, që përhapej si një njoftim i qartë dhe i pakthyeshëm. Kjo ishte trokitja e burrave. Tjetra, më e vogël dhe më e lehtë, lëshonte një tingull të butë, pothuaj të përmbajtur, si një ftesë e kujdesshme dhe kjo ishte trokitja e grave. Dhe brenda shtëpisë, ky dallim nuk ishte i rastësishëm, as thjesht praktik por një sinjal i ndërtuar mbi ndjeshmëri dhe mbi një etikë të të jetuarit që nuk kishte nevojë për shpjegime. Ishte një paralajmërim i qetë, një mënyrë për të ruajtur harmoninë e brendshme pa e trazuar atë. Nëse tingulli ishte i rëndë, gruaja e shtëpisë tërhiqej, mbulohej ose thërriste një burrë për të hapur derën, duke respektuar një rend të vendosur prej kohësh. Nëse ishte i butë, ajo mund të afrohej vetë, pa nxitim dhe pa pasiguri, sepse tingulli i kishte thënë tashmë gjithçka që duhej të dinte. Kjo praktikë, e thjeshtë në dukje, mbartte një ndjeshmëri të thellë kulturore, një elegancë të përmbajtur që nuk kërkonte të binte në sy, por të funksiononte në heshtje. Ajo fliste për një botë ku privatësia nuk ishte luks, por normë,ku nderi nuk shpallej me zë të lartë, por ruhej në detaje të vogla, ku komunikimi nuk kishte gjithmonë nevojë për fjalë, sepse ishte përkthyer tashmë në zakone që të gjithë i kuptonin. Ndërsa sot, në një kohë kur dyert hapen me kode digjitale, me kamera dhe sinjale elektronike që e zëvendësojnë praninë me teknologji, ajo dorezë e vogël prej metali mbetet si një kujtim i një elegance të humbur, një relike e një qytetërimi që dinte të respektonte kufijtë pa i shpallur ata me zhurmë. Ajo na kujton se përparimi nuk matet vetëm me atë që shpikim, por edhe me mënyrën se si kemi ditur të ruajmë delikatesën në marrëdhëniet tona. Sepse dikur, mjaftonte një tingull dere për të treguar jo vetëm kush ishte jashtë… por edhe sa e kujdesshme, sa e rregullt dhe sa e qytetëruar ishte bota brenda.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit