Ka një keqkuptim të heshtur që qarkullon në shumë mjedise konkurruese, sipas të cilit empatia është një luks i panevojshëm, një lloj butësie që të ngadalëson dhe të bën më pak të aftë për të fituar në një botë ku ritmi është i shpejtë dhe pritshmëritë janë të pamëshirshme por kjo ide, sado e përhapur, është më shumë një reflektim i frikës sesa i realitetit. Empatia nuk është dobësi por një formë inteligjence që kërkon përpjekje të vazhdueshme, sepse nuk mjafton të kuptosh veten, duhet të lexosh të tjerët, të kapësh nuancat, të dallosh çfarë nuk thuhet, dhe kjo kërkon një vëmendje që shumëkush nuk është i gatshëm ta investojë, sidomos në një kohë ku reagimi i shpejtë shpesh vlerësohet më shumë se kuptimi i thellë. Në një botë konkuruese, empatia shpesh shihet si rrezik, sepse supozohet se të bën më të prekshëm, më pak të ashpër, më pak të gatshëm për të marrë vendime të vështira,por në të vërtetë, ajo nuk e zëvendëson vendosmërinë por e orienton atë, duke e bërë më të vetëdijshme dhe më pak të verbër ndaj pasojave. Një individ pa empati mund të arrijë sukses afatshkurtër, duke marrë vendime të shpejta dhe të ftohta, por shpesh ky sukses është i brishtë, sepse ndërtohet mbi marrëdhënie të dobëta dhe mbi një mungesë mirëkuptimi që, herët a vonë, kthehet në pengesë,ndërsa ai që e zhvillon empatinë si aftësi, jo si ndjeshmëri të pakontrolluar, krijon një avantazh më të qëndrueshëm, sepse di të ndërtojë besim, të kuptojë dinamikat njerëzore dhe të lëvizë me një lloj qartësie që nuk vjen nga instinkti, por nga kuptimi. Problemi nuk është empatia, por mënyra si e përdorim atë sepse një empati pa kufij mund të të bëjë të hezitosh kur duhet të veprosh, të të mbajë peng në dilema morale dhe të të pengojë të marrësh vendime që, ndonëse të vështira, janë të nevojshme por mungesa e saj e bën çdo vendim më të varfër, më mekanik dhe shpesh më të padrejtë. Pyetja nuk është nëse empatia është dobësi, por nëse ne dimë ta përdorim atë pa e lejuar të na paralizojë, sepse në një botë konkuruese, avantazhi i vërtetë nuk qëndron tek ata që janë më të fortë apo më të shpejtë, por tek ata që kuptojnë më mirë dhe kuptimi, në thelb, fillon gjithmonë me empatinë.
