Ka një marrëveshje që nuk firmoset kurrë por që ndihet si një prani e padukshme që në momentin kur hapet dera e auditorit, një lloj kontrate e heshtur që nuk ka nene të shkruara, por që mbart mbi vete një peshë të madhe pritshmërish, përgjegjësish dhe, mbi të gjitha, një përgjegjësi të ndërsjellë që shkon përtej çdo programi mësimor apo orari të përcaktuar. Sepse në të vërtetë, arsimi nuk është një transaksion i thjeshtë ku njëri jep dhe tjetri merr, por një marrëdhënie e ndërlikuar njerëzore, ku ajo që qarkullon nuk është vetëm dije, por edhe qëndrime, modele mendimi dhe mënyra të të qenit në botë. Pedagogu nuk i detyrohet studentit thjesht përmbajtjes së një syllabus-i të strukturuar mirë, apo respektimit korrekt të një kalendari akademik por i detyrohet një serioziteti të thellë, që nuk buron nga detyrimi formal, por nga vetëdija se përballë tij ka mendje që formohen dhe që kërkojnë drejtim, i detyrohet një përgatitjeje që nuk është mekanike, por e gjallë, që reflekton angazhimin për të mos e kthyer dijen në një tekst të ngrirë, por në një proces që frymon dhe zhvillohet. Ai i detyrohet gjithashtu ndershmërisë intelektuale, që shpesh është më e vështira për t’u ruajtur, sepse kërkon të pranohet kufiri, të thuhet “nuk e di” pa frikë nga humbja e autoritetit, të mos përdoret katedra si një distancë që imponon, por si një hapësirë që afron dhe krijon dialog, sepse autoriteti i vërtetë nuk ndërtohet mbi heshtjen e tjetrit, por mbi besimin që arrin të zgjojë.Dhe ndoshta detyrimi më i madh i tij, ai që nuk shkruhet në asnjë dokument zyrtar, është të besojë realisht se studenti përballë tij mund të bëhet më shumë se sa është në atë moment, sepse ky besim, kur është i sinqertë dhe i qëndrueshëm, ka fuqinë të ndikojë më shumë se çdo leksion i përgatitur në mënyrë perfekte. Nga ana tjetër, studenti nuk i detyrohet pedagogut vetëm praninë fizike në një sallë leksioni, as plotësimin formal të kërkesave minimale për të kaluar një lëndë. Ai i detyrohet një vëmendje të vërtetë, që nuk është e shpërndarë mes ekranit dhe mendimeve të tjera, por e përqendruar dhe aktive, një vëmendje që nuk pranon gjithçka në mënyrë pasive, por që pyet, kundërshton, kërkon të kuptojë më thellë dhe nuk kënaqet me përgjigje sipërfaqësore.Studenti i detyrohet gjithashtu përpjekjes, jo në kuptimin e një perfeksioni të pamundur, por në kuptimin e një angazhimi të ndershëm me procesin e të mësuarit, sepse nuk ka asgjë më të zbrazët se një potencial i pashfrytëzuar që zë vend në auditor vetëm për të kaluar kohën, duke e reduktuar gjithë këtë marrëdhënie në një formalitet pa shpirt. Në këtë marrëdhënie, të dyja palët i detyrohen njëri-tjetrit respektin, jo atë të jashtëm dhe ceremonial që ruan vetëm formën, por atë të brendshëm që pranon se përballë nuk ka një rol, por një njeri, me kufizime, me mundësi dhe me dinjitet, sepse në momentin që njëra palë fillon ta shohë tjetrën si funksion dhe jo si qenie, gjithçka fillon të zbehet.Kjo marrëveshje e pashkruar mbetet e thjeshtë në thelb, por e vështirë në zbatim, sepse kërkon prani reale dhe jo vetëm fizike, kërkon përkushtim që nuk matet me nota apo orë, dhe mbi të gjitha kërkon një ndershmëri të dyanshme për të mos e kthyer procesin e të mësuarit në një rutinë të zbrazët, ku të dyja palët bëjnë sikur japin dhe marrin, ndërkohë që në të vërtetë asgjë thelbësore nuk ndodh.
Marrëveshja e pashkruar mes pedagogut dhe studentit. Çfarë i detyrohemi njëri-tjetrit përtej syllabuseve dhe orareve?
