Të jetosh me parime në një botë kompromisesh

Ndaje

Ka një qetësi të rreme në këto kohë, një lloj harmonie e sipërfaqshme që mbahet në këmbë nga marrëveshje të vogla të përditshme, nga ato lëshime të padukshme që i bëjmë vetes pa zhurmë, derisa një ditë kuptojmë se kemi negociuar më shumë sesa kemi jetuar. Në këtë stil jete ku gjithçka duket e pranueshme dhe gjithkush gjen një justifikim për t’u përshtatur, të jetosh me parime nuk është më virtyt i lavdëruar, por një lloj shqetësimi që të veçon. Të rinjtë e njohin këtë mekanizëm më herët se çdo brez tjetër, jo sepse janë më pak të fortë, por sepse rriten në një botë që ua mëson kompromisin si alfabet të parë të mbijetesës, ku çdo hap matet me leverdinë dhe çdo qëndrim peshohet me koston. Ata mësojnë të përshtaten para se të formohen plotësisht, të heshtin para se të artikulojnë bindjet e tyre, dhe shpesh e gjejnë veten duke bërë paqe me gjëra që dikur do t’i kishin kundërshtuar pa hezitim. Dhe kështu, pa e vënë re, kompromisi nuk mbetet më një mjet, por bëhet mënyrë të menduari. Por ka diçka thellësisht zhgënjyese në këtë përshtatje të vazhdueshme, një ndjenjë e hollë boshllëku që nuk vjen nga ajo që humbasim jashtë, por nga ajo që lëmë pas brenda vetes, sepse çdo kompromis që prek thelbin nuk të rrëzon menjëherë, por të zvogëlon ngadalë, duke të bërë më të pranueshëm për botën dhe më të huaj për veten dhe ndoshta ky është çmimi më i padukshëm. Të kesh parime në këtë realitet nuk do të thotë të refuzosh çdo kompromis, por të ruash një vijë të brendshme që nuk negociohet, një lloj dinjiteti i heshtur që nuk shitet për rehati të përkohshme pasi jo çdo fitore është e vlefshme dhe jo çdo përshtatje është zgjuarsi. Ka raste kur ajo që duket si zgjedhje e mençur është thjesht një dorëzim i rafinuar dhe ndoshta zhgënjimi më i madh nuk është se bota kërkon kompromis, por se ne mësohemi ta japim atë shumë lehtë, shumë shpejt, pa e kuptuar se çdo herë që heqim dorë nga një parim, nuk po i afrohemi më shumë suksesit, por po largohemi pak nga vetja. Sepse nuk është bota ajo që na ndryshon plotësisht, por mënyra si ne zgjedhim të qëndrojmë brenda saj.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit