Kur injoranca bëhet spektakël dhe dija turp.

Ndaje

Ka një çast të frikshëm në jetën e një shoqërie kur ajo përballet me veten jo përmes librave, as përmes mendimit kritik apo debatit të qytetëruar, por përmes një ekrani ku zhurma ka zë më të lartë se arsyeja, dhe pikërisht në këtë çast, ajo që shfaqet nuk është thjesht argëtim por një diagnozë e heshtur dhe e pamëshirshme. Kur banorët e Big Brother përballen me pyetje që dikur do të konsideroheshin elementare për çdo individ me një minimum kulture të përgjithshme si emri i vërtetë i Nënë Terezës, data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës apo autori i “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadare dhe përgjigjet që japin janë aq të gabuara saqë nuk prodhojnë më as humor, por një ndjesi të thellë shqetësimi, atëherë problemi nuk është më një gafë televizive, por një simptomë kolektive. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me emocione momentale apo me harresë të rastësishme, por me një boshllëk që flet për një brez që duket se është shkëputur nga rrënjët e tij kulturore, historike dhe intelektuale, një brez që ka akses në një oqean informacioni, por që noton në sipërfaqe pa arritur kurrë thellësinë e dijes. Dhe ndërkohë që këto momente shpërndahen me shpejtësi marramendëse, duke mbledhur klikime, reagime dhe komente, lind një e vërtetë e hidhur. Nuk është më dija ajo që tërheq vëmendjen por dështimi i saj, nuk është më mendimi ai që prodhon interes, por mungesa e tij. Formate si Big Brother nuk janë shkaku i kësaj gjendjeje, por pasqyra më e qartë e saj, sepse ato ushqehen me atë që publiku kërkon, dhe kur publiku shpërblen sherret, fjalorin e ulët dhe debatet pa kuptim, atëherë mediokriteti nuk mbetet më një devijim i rastësishëm. Ai shndërrohet në standard. Në këtë klimë, ku një debat i zbrazët gjeneron më shumë vëmendje sesa një argument i ndërtuar, ku një reagim impulsiv vlerësohet më shumë se një reflektim i thellë, lind natyrshëm një brez që mëson të jetë i dukshëm por aspak i ditur, të jetë i zhurmshëm por jo i menduar, i pranishëm në ekran por aspak i munguar në përmbajtje. A është kjo pasojë e një arsimi të dobët? Pa dyshim që po, por do të ishte një gabim i rrezikshëm të kufizonim analizën vetëm në bankat e shkollës, sepse kriza është shumë më e gjerë, ajo është në familje që nuk kultivojnë leximin, në institucione që matin suksesin me nota dhe jo me dije, në media që ushqejnë instinktin dhe jo arsyen, dhe në një shoqëri që ka filluar të admirojë më shumë dukjen sesa përmbajtjen. Sepse kur një i ri nuk di kush është Nënë Tereza, nuk kemi të bëjmë thjesht me një mungesë informacioni por me një shkëputje nga një identitet moral. Kur nuk di historinë e Kosovës, nuk është vetëm një datë e harruar, por një boshllëk në vetëdijen kolektive, kur nuk njeh Kadarenë, nuk është vetëm një mangësi letrare, por një humbje e lidhjes me një nga shtyllat më të rëndësishme të mendimit shqiptar. E megjithatë, ajo që e bën këtë situatë edhe më të rëndë nuk është vetë injoranca, por normalizimi i saj, mungesa e turpit përballë saj, shndërrimi i saj në një element argëtimi që konsumohet pa reflektim dhe pa përgjegjësi. Sepse një shoqëri mund të përballojë gabimet, mund të përballojë edhe mungesat, por nuk mund të përballojë indiferencën ndaj tyre, nuk mund të mbijetojë gjatë nëse pushon së kërkuari më shumë nga vetja. Dhe kështu, pyetja nuk është më pse ndodhin këto gafa, por çfarë po ndodh me ne si shoqëri, cilat janë prioritetet që po u transmetojmë brezave të rinj, çfarë po shpërblejmë dhe çfarë po injorojmë, çfarë po bëjmë që dija të duket e rëndësishme dhe jo e tepërt. Sepse nëse vazhdojmë të duartrokasim zhurmën dhe të shpërfillim mendimin, atëherë nuk duhet të habitemi kur të shohim se boshllëku nuk është më një përjashtim, por normë. E kështu mbetet një e vërtetë e thjeshtë dhe e hidhur. Kur injoranca nuk të turpëron më, ajo fillon të të përfaqësojë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit