Ka një të vërtetë të thjeshtë, por shpesh të vështirë për t’u pranuar se fëmijët janë pasqyra më e sinqertë e botës së të rriturve. Ata nuk lindin me urrejtje, me egoizëm apo me dëshirën për të lënduar të tjerët,nuk lindin me arrogancë, manipulim apo me mungesë respekti. Fëmijët vijnë në jetë me një shpirt të hapur dhe me një kureshtje të pafund për të kuptuar botën, ndërsa karakteri i tyre fillon të ndërtohet ngadalë, ditë pas dite, përmes asaj që shohin, dëgjojnë dhe përjetojnë në rrethin më të afërt, familjen. Ata janë vëzhgues të heshtur, por jashtëzakonisht të ndjeshëm, që përthithin çdo sjellje, çdo ton zëri, çdo mënyrë reagimi dhe çdo vlerë që u shfaqet përpara syve. Shpesh, kur përballemi me sjellje të vështira tek fëmijët, me zëra të ngritur, me mungesë respekti, me arrogancë apo me një egoizëm të theksuar,priremi të kërkojmë shpjegime jashtë vetes. Është më e lehtë të fajësojmë shkollën, shoqërinë, rrjetet sociale apo të ashtuquajturën “gjeneratë të sotme”, sikur këto të ishin burimi i vetëm i asaj që shohim. Por e vërteta, ndonëse jo gjithmonë e rehatshme për t’u pranuar, është se shumë nga këto sjellje janë reflektim i shembullit të parë që fëmija ka parë në shtëpi, i kufijve që nuk u vendosën në kohë dhe i vlerave që nuk u ushqyen me durim në jetën e përditshme. Ka raste kur mjafton të takosh prindërit për të kuptuar menjëherë edhe mënyrën se si fëmijët e tyre janë formuar. Jo sepse ata nuk kanë pasur mundësi materiale apo sepse fëmijët nuk janë të zgjuar përkundrazi, shpesh bëhet fjalë për diçka shumë më të thellë,për modelin e jetës që u është ofruar. Kur fëmija rritet në një ambient ku mungon respekti për të tjerët, ku fjalët e ashpra zëvendësojnë dialogun, ku kufijtë janë të paqartë dhe ku arroganca shfaqet si formë force, ai mëson pa e kuptuar, se kjo është mënyra normale për të qenë në botë dhe kështu, pa e kuptuar, fillon të ndërtojë të njëjtin model sjelljeje.
Nga ana tjetër, kur shohim fëmijë që janë të kujdesshëm me të tjerët, që dinë të kërkojnë falje, që tregojnë ndershmëri dhe respekt edhe në situata të vështira, atëherë bëhet e qartë se pas tyre qëndron një edukim i qetë, i qëndrueshëm dhe i përditshëm. Në këto raste, notat apo rezultatet akademike bëhen dytësore, sepse ajo që ka vërtet rëndësi është mënyra se si këta fëmijë lidhen me botën dhe me njerëzit përreth tyre. Karakteri që ata shfaqin sot është themeli i shoqërisë që do të ndërtojnë nesër.Është e kuptueshme që prindërit ndonjëherë të ndihen të prekur kur përballen me këtë reflektim. Askush nuk e pranon lehtë idenë se gabimet apo mungesat tona si të rritur mund të kenë lënë gjurmë në sjelljen e fëmijëve por ky nuk është një moment për të akuzuar apo për të gjykuar përkundrazi, është një mundësi për të reflektuar me sinqeritet dhe për të kuptuar se çdo gjest i vogël që bëjmë përpara tyre,një falje e kërkuar me ndershmëri, një akt respekti ndaj të tjerëve, një dialog i qetë në vend të zemërimit është një mësim i fuqishëm që fëmijët e mbajnë me vete për gjithë jetën.Karakteri nuk është diçka që trashëgohet rastësisht, as një cilësi që shfaqet papritur me kalimin e viteve. Ai ndërtohet çdo ditë, në mënyrë të heshtur, në atmosferën e familjes, në mënyrën se si flasim, si reagojmë dhe si e trajtojmë njëri-tjetrin. Çdo fëmijë që rritet me mirësinë, respektin dhe përgjegjësinë është dëshmi e një prindi që ka zgjedhur të ndërtojë jo vetëm dijen, por edhe zemrën. Ndërsa çdo shenjë egoizmi, arrogance apo manipulimi tek një fëmijë është një thirrje për reflektim,ajo që mungon tek ai është shpesh ajo që nuk është kultivuar me kujdes tek i rrituri.
Në fund të fundit, e ardhmja e fëmijëve nuk formohet nga teknologjia, nga rrethanat apo nga moda e kohës por nga zgjedhjet e përditshme të prindërve, nga shembujt që ata japin dhe nga vlerat që vendosin të jetojnë përpara syve të tyre. Përgjegjësia e prindit është më e madhe se çdo rregull apo sistem, sepse ajo prek drejtpërdrejt zemrën dhe karakterin e brezit që do të vijë dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe e vërteta më e thellë se fëmijët nuk janë vetëm e ardhmja jonë por pasqyra që na tregon, me një sinqeritet të rrallë, se kush jemi sot.
Ndaje
