Mitomania bashkëkohore. Kur identiteti bëhet skenar dhe realiteti një detaj i bezdisshëm.

Ndaje

Ne jetojmë në një epokë ku imazhi shpesh paraprin substancën, ku perceptimi duket më i rëndësishëm se kompetenca dhe ku narrativat personale gjejnë hapësira të pakontrolluara për të lulëzuar. Në këtë kontekst zhvillohet një fenomen psikologjik që është njëkohësisht intrigues dhe i rrezikshëm, dhe kjo është mitomania. Mitomania nuk është thjesht gënjeshtra e rastit apo ekzagjerimi i një historie por nevoja patologjike për të ribërë identitetin, për të krijuar një version më të madh, më të fuqishëm dhe më heroik të vetes, shpesh për të mbuluar boshllëqet e brendshme të një individi, dobësi narcistike, ndjenja inferioriteti, dështime të papërpunuara dhe një identitet të paqëndrueshëm. Ky fenomen gjen terrenin ideal në rrjetet sociale, ku tregimet e trilluar mund të shpërndahen pa kontroll dhe ku realiteti shpesh zbehet nga perdesë e filtruar e imazhit. Mitomaniaku nuk gënjen për një përfitim të menjëhershëm por krijon një identitet alternativ, duke i paraprin realitetit me imazhin, duke i paraprirë kompetencës me tregimin dhe duke i paraprirë provës me deklaratën. Tituj, aftësi dhe role shpesh janë vetë të përcaktuara dhe përputhen me një version ideal të vetes, jo me realitetin. Kur ky individ përballet me realitetin përmes paaftësisë teknike, kontradikave narrative apo reagimeve mbrojtëse nuk është thjesht një gënjeshtër që mbron, por identiteti i trilluar vetë. Nga pikëpamja psikologjike, mitomania lidhet shpesh me struktura narcistike të brishta, nevojë kompulsive për admirim, vetëvlerësim të ulët të maskuar nga madhështia, intolerancë ndaj frustrimit dhe integrim të dobët të identitetit. Nuk është gjithmonë një çrregullim i strukturuar i personalitetit, por shpesh është shenjë e pjekurisë psikologjike të mangët dhe e varësisë së individit nga miratimi i jashtëm. Fenomeni ka pasojat e tij më të dukshme në shoqëri. Në epokën digjitale, mitomania shpërthen në një teatër të përhershëm, ku figura të pabesueshme i shpallin vetes kompetenca pas dështimeve të jashtëzakonshme, ku individë të pa trajnuar flasin për tema komplekse dhe ku narrativat zëvendësojnë realitetin. Kur shoqëria fillon t’i besojë këtyre imazheve të rreme, kur paaftësia ngatërrohet me talentin, dhe kur tregimi zëvendëson aftësinë reale, dëmi nuk është më thjesht psikologjik por kulturor. Nga ana tjetër, mitomania nuk mund të shpëtojë kurrë realitetin, i cili ka një veçori që nuk mund të manipulohet por është i verifikueshëm. Kompetenca nuk ka nevojë të bërtasë, dhe solidariteti nuk ka nevojë për maska. Ai që di të veprojë e tregon me vepra, ndërsa ata që nuk dinë shpesh flasin dhe shpesh gabojnë. Dallimi shfaqet gjithmonë, më herët apo më vonë.
Pra,mitomania bashkëkohore nuk është vetëm çështje individuale, ajo është problematikë shoqërore dhe kulturore. Ajo tregon pasiguri, kërkesë për miratim dhe paaftësi për të përballuar realitetin, duke transformuar perceptimin publik dhe duke minuar vlerat themelore të kompetencës dhe besueshmërisë. Sfida për shoqërinë është të mësojë të dallojë mes tregimeve dhe aftësisë reale, dhe të vlerësojë veprën mbi narrativën sepse realiteti, ndryshe nga mitomania, nuk mund të redaktohet me një postim dhe gjithmonë e zbulon të vërtetën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit