Auditori është vendi i ideve, i debatit dhe i formimit intelektual. Por pas bankave dhe fletoreve, fshihet një realitet që rrallë diskutohet me zë të lartë, ankthi para provimeve, depresioni i heshtur, lodhja emocionale që grumbullohet gjatë semestrave. Shëndeti mendor i studentëve mbetet në shumë institucione, një temë e shmangur, pothuaj tabu. Por a është vërtet tabu, apo thjesht realitet të cilin kemi zgjedhur të mos e shohim? Kjo pyetje nuk ka përgjigje të thjeshtë dhe pikërisht pse nuk ka, meriton të shtrohet. Hulumtimet ndërkombëtare tregojnë se një në pesë studentë universitarë përjetojnë simptoma të konsiderueshme të ankthit ose depresionit gjatë viteve akademike. Organizata Botërore e Shëndetit e ka klasifikuar shëndetin mendor si prioritet global, duke theksuar se problemet psikologjike fillojnë shpesh në moshën 18–25 vjeç, pikërisht mosha e studimeve universitare.
Presioni akademik, pasiguria për të ardhmen, largësia nga familja dhe mungesa e mbështetjes sociale janë faktorë që bashkëveprojnë dhe krijojnë një terren të vështirë psikologjik. Megjithatë, shumica e studentëve nuk kërkojnë ndihmë, jo sepse nuk kanë nevojë, por sepse kanë frikë nga gjykimi. Stigma rreth shëndetit mendor nuk është thjesht paragjykim individual, por produkt produkt i strukturave kulturore dhe institucionale. Në shoqëritë ku dobësia shihet si dështim dhe kërkimi i ndihmës si shenjë paaftësie, studentët mësojnë herët të fshehin vështirësitë e tyre. Universiteti, si institucion, shpesh e forcon këtë heshtje në mënyrë të tërthortë, sisteme vlerësimi që nuk lënë hapësirë për gabim, mungesa e shërbimeve psikologjike dhe kultura akademike që e glorifikon punën e tepërt si virtyt.
Pavarësisht heshtjes, shëndeti mendor i dobët manifestohet çdo ditë në auditor, studentë që mungojnë pa shpjegim, performancë akademike që bie pa arsye të dukshme, tërheqje nga jeta sociale. Profesorët e vërejnë, por shpesh nuk kanë mjetet dhe as trajnimin për të ndërhyrë. Disa universitete perëndimore kanë filluar të integrojnë shërbime të shëndetit mendor direkt në kampus, psikologë, grupe mbështetjeje dhe linja ndihmese. Rezultatet tregojnë se kur mbështetja ekziston dhe është e aksesueshme, studentët e përdorin. Problemi është mungesa e infrastrukturës dhe e kulturës së hapjes.
Ndryshimi fillon me bisedën. Kur një profesor pyet “si jeni vërtet?” dhe nënkupton atë pyetje, kur institucionet krijojnë hapësira ku studentët mund të flasin pa frikë nga gjykimi, kur bashkëmoshatarët normalizojnë kërkimin e ndihmës, stigma zbërthehet ngadalë.
Shëndeti mendor nuk është luks akademik por kusht themelor për të mësuar, për të menduar, për të kontribuar. Një student i shëndetshëm mendërisht nuk është vetëm student i mirë, por edhe qytetar, profesionist dhe njeri i mirë.
Shëndeti mendor në auditor nuk është as tabu e domosdoshme dhe as realitet i pranueshëm por një sfidë e zgjidhshme.
Ndaje
