Përse këshillimi i karrierës është një investim jetësor?

Ndaje

Sa herë ndodh që, në momentin kur përballemi me zgjedhjen e studimeve, profesionit apo ndryshimit të punës, të ndiejmë një boshllëk të frikshëm sikur hapësira midis ëndrrës dhe realitetit është më e madhe se ç’mund ta kapë logjika jonë?
Pikërisht këtu hyn në lojë këshillimi i karrierës si një komponent themelor që na ndihmon të ndërtojmë të ardhmen me strategji, qartësi dhe vetëdije. Sipas ekspertëve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, rreth 60 % e të rinjve nuk kanë identifikuar prirjet e tyre personale dhe nuk dinë ku qëndrojnë aftësitë e tyre brenda botës së punës, një problem që thekson rëndësinë e orientimit profesional që nga vitet e para të shkollës. Ky tregues është më shumë sesa statistikë , është një paralajmërim se shumë të rinj nisën udhëtimin e tyre profesional pa një hartë dhe pa një dialog të ndërtuar mbi pikat e forta dhe pasionet e tyre. Në një studim mbi efektivitetin e këshillimit të karrierës, më shumë se 94 % e studentëve raportuan se shërbimet e orientimit u ndihmuan të njihnin më mirë vetveten, rritën motivimin dhe aftësinë për të planifikuar profesionin e ardhshëm, duke përfshirë informacion dhe udhëzime të personalizuara. Efektet e këtyre shërbimeve nuk ndalen te perceptimi i tanishëm.Ata që përfitojnë nga këshillimi profesional shpesh duket se përparojnë edhe në zgjidhjen e vendimeve konkrete brenda vitit të parë pas përfundimit të këshillimit, duke ulur paqartësitë dhe duke rritur besimin për veprim. Dhe nuk janë vetëm rezultatet afatshkurtra që e bëjnë këtë proces kaq të rëndësishëm, hulumtimet tregojnë se pjesëmarrësit në këshillim raportojnë edhe përmirësim të aftësisë për të adaptuar strategjitë e tyre të punësimit, për të parë mundësi të reja dhe për të ndërtuar një zhvillim profesional më të qëndrueshëm sesa ata që kërkojnë punë pa udhëzimin e duhur. Pra, këshillimi i karrierës nuk është thjesht një bisedë motivuese por një proces i ndërtuar me metoda, instrumente psikometrike dhe dialog profesional që ndihmon secilin prej nesh të kuptojë se ku qëndrojnë vlerat, aftësitë dhe objektivat personale. Ai e bën udhëtimin tonë drejt profesionit një rrugë të ndërgjegjshme, dhe jo thjesht një rrezik me shpresë. Në një treg pune që ndryshon me ritme të shpejta, ku profesione dhe kërkesa transformohen brenda pak viteve, dallimi midis atyre që arrijnë të ndërtojnë një karrierë të qëndrueshme dhe atyre që ndihen të humbur, shpesh varet pikërisht nga cilësia e këshillimit dhe orientimit që kanë marrë në fillim të udhëtimit të tyre. Në këto kushte, pyetja nuk duhet të jetë më “për cfarë vlen këshillimi i karrierës?”, por “përse nuk e kemi bërë pjesë të domosdoshme të sistemit arsimor dhe profesional që në moshë të hershme?” Sepse zgjedhjet tona nuk janë vetëm pika nisjeje, ato bëhen rruga që na udhëheq për të gjithë jetën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit