Ka periudha gjatë vitit kur, pa u shpallur me bujë dhe pa u vënë re menjëherë, atmosfera e jetës së përditshme ndryshon në mënyrë të ndjeshme, sikur ritmi i zakonshëm i ditëve të zbutet dhe njerëzit të fillojnë të jetojnë me një përmbajtje më të madhe, me një qetësi më të thellë dhe me një prirje më të dukshme për reflektim shpirtëror.
Janë ato ditë kur, kudo që shkon, dëgjon të njëjtat fjali të thëna me një lloj përulësie të natyrshme: “Unë jam me Kreshmë”, “Unë jam me agjërim”, fjali të thjeshta, por që mbartin brenda tyre një kuptim shumë më të madh se sa duken në pamje të parë. I dëgjon këto fjalë nga njerëz të çdo moshe dhe nga çdo shtresë e shoqërisë, nga burra e gra, nga të moshuar që e kanë jetuar këtë traditë për vite me radhë dhe e mbajnë si një pjesë të rëndësishme të jetës së tyre shpirtërore, por edhe nga të rinj që, mes vrullit të jetës moderne dhe ritmit të shpejtë të ditëve të sotme, zgjedhin të ndalen për një moment dhe t’i japin vetes këtë hapësirë të qetë reflektimi. Dhe është e pamundur të mos ndjesh një lloj bukurie të veçantë në këtë përbashkësi të heshtur që krijohet mes njerëzve, sepse në ato fjali të thjeshta fshihet një përpjekje e përbashkët për përulësi, për vetëpërmbajtje dhe për një kthim të qetë drejt vetes. Për disa është koha e Kreshmës që paraprin festën e Pashkët, ndërsa për të tjerë është periudha e agjërimit të Ramazanit, por përtej formave dhe emrave të ndryshëm, ajo që ndihet në ajër është e njëjta frymë, dëshira për të jetuar këto ditë me më shumë qetësi, me më shumë përulësi dhe me një përpjekje të ndershme për të pastruar jo vetëm zakonet e përditshme, por edhe mendimet dhe ndërgjegjen. Në këto ditë, tryezat mund të jenë më të thjeshta dhe më të përmbajtura, por zemrat shpesh bëhen më të hapura dhe më të ndjeshme ndaj tjetrit, njerëzit mendojnë më shumë për një fjalë të mirë që mund të thonë, për një ndihmë të vogël që mund të ofrojnë, apo edhe për një pajtim të vonuar që ndoshta ka pritur për një kohë të gjatë të ndodhë. Sepse këto ditë të Kreshmës dhe të agjërimit nuk janë vetëm një praktikë fetare apo një traditë e trashëguar brez pas brezi, por janë një kujtesë e qetë dhe e thellë se njeriu nuk jeton vetëm për të marrë nga jeta, por edhe për të reflektuar mbi veten, për të falur, për të ndarë me të tjerët dhe për të kërkuar atë paqe të brendshme që shpesh humbet në zhurmën e përditshmërisë.Dhe ndoshta pikërisht në këtë bashkëjetesë të heshtur mes Kreshmës dhe agjërimit, në këtë respekt të ndërsjellë për traditat dhe besimin e njëri-tjetrit, shfaqet një nga bukuritë më të rralla të shoqërisë sonë, aftësia për të jetuar së bashku, në të njëjtën kohë, të njëjtin reflektim shpirtëror, duke krijuar pa shumë fjalë një atmosferë mirëkuptimi, respekti dhe paqeje që e bën botën të duket, qoftë edhe për pak kohë, më e butë dhe më njerëzore.
Ndaje
