Ka disa gra që historia i kujton për rolet që kanë interpretuar në skenë dhe disa të tjera për rolet që kanë luajtur në jetën publike e politike të një vendi por shumë rrallë ndodh që një njeri të mbetet në kujtesën kolektive të një kombi si një figurë që i bashkon të dyja këto botë me të njëjtën forcë dhe me të njëjtin pasion. Një prej këtyre figurave të rralla ishte pa dyshim Melina Merkuri, gruaja me zërin e thellë e të ngrohtë, me temperamentin e zjarrtë mesdhetar dhe me atë prani të rrallë skenike që dukej sikur mbante brenda saj gjithë dritën, ironinë dhe krenarinë e qytetit ku kishte lindur. Ajo erdhi në jetë më 18 tetor 1920 në Athinë , në një familje ku politika dhe jeta publike ishin pothuajse një traditë familjare, një trashëgimi që kalonte nga një brez në tjetrin bashkë me idenë e shërbimit ndaj qytetit dhe shtetit. Gjyshi i saj, Spiros Merkouris, kishte qenë për disa mandate kryetar i bashkisë së Athinës dhe një nga figurat më të njohura të jetës politike të kohës së tij, ndërsa babai i saj, Stamatis Merkuris , shërbeu si deputet në parlamentin grek, duke e bërë shtëpinë ku u rrit Melina një vend ku diskutimet për politikën, për fatin e vendit dhe për identitetin kombëtar ishin pjesë e përditshme e jetës. Megjithatë, edhe pse ishte rritur në këtë atmosferë të mbushur me debate publike dhe përgjegjësi qytetare, zemra e saj që në rini rrihte për një botë tjetër, për botën e artit, të teatrit dhe të skenës. Teatri ishte dashuria e saj e parë dhe vendi ku ajo filloi të ndërtonte identitetin e saj artistik, duke sjellë në skenë një përzierje të rrallë elegance, pasioni dhe spontaneiteti, që e bënte menjëherë të dallueshme mes aktoreve të kohës së saj. Por shumë shpejt skena kombëtare nuk mjaftonte më për një personalitet kaq të gjallë e kaq të fuqishëm. Kinemaja e çoi emrin e saj përtej kufijve të Greqisë dhe roli që ajo interpretoi në filmin “ Never on Sunday” e bëri të njohur në mbarë botën, duke i sjellë çmimin për aktoren më të mirë në Cannes Film Festival dhe duke e shndërruar në një nga figurat më të dashura të kinemasë evropiane të asaj kohe. Në ekran ajo ishte e lirë, plot humor dhe jetë, një figurë që dukej sikur përfaqësonte vetë shpirtin e Athinës të gjallë, të pavarur dhe krenar. Por jeta e saj nuk mbeti e kufizuar vetëm në art. Historia e vendit të saj, me gjithë dramat dhe përplasjet e saj politike, e thirri Melina Merkurin në një rol tjetër, ndoshta edhe më të rëndësishëm. Kur në Greqi u vendos diktatura e Juntës në 1967deri 1974, ajo u bë një nga zërat më të fortë kundër saj. Regjimi i hoqi shtetësinë dhe e detyroi të jetonte në mërgim, duke menduar se kështu do të heshtte një nga kritiket më të njohura të tij; por në të vërtetë ndodhi e kundërta. Nga skenat dhe tribunat ndërkombëtare ajo vazhdoi të fliste me pasion për lirinë dhe demokracinë e vendit të saj, duke thënë një fjali që do të mbetej në histori, mund të më hiqni shtetësinë, por nuk mund të më hiqni identitetin tim grek. Pas rikthimit të demokracisë, ajo vendosi të hyjë drejtpërdrejtë në politikë dhe në vitin 1981 mori detyrën e Ministres së Kulturës, një rol që dukej sikur ishte krijuar posaçërisht për të, sepse për Melinën kultura nuk ishte një dekor ceremonial i një shteti, por vetë shpirti dhe kujtesa e një kombi. Ajo u bë një nga mbrojtëset më të forta të trashëgimisë kulturore greke dhe nisi një fushatë të gjatë ndërkombëtare për kthimin në Greqi të skulpturave të Partenonit, të cilat ruhen në Muzeun Britanik. Po ashtu, ishte ajo që hodhi idenë e programit evropian “ European Capital of Culture” një projekt që sot është bërë një nga nismat më të rëndësishme për promovimin e qyteteve dhe kulturave evropiane. Më 6 mars 1994, në New York City, Melina Merkuri u shua përgjithmonë, duke lënë pas jo vetëm kujtimin e një aktoreje të madhe dhe të një ministreje të përkushtuar, por mbi të gjitha figurën e një gruaje që e kuptoi artin si një mënyrë për të mbrojtur lirinë dhe kulturën si një formë të lartë dashurie për vendin e saj. Dhe ndoshta kjo është arsyeja përse edhe sot, shumë vite pas largimit të saj, emri i Melina Merkurit vazhdon të përmendet jo vetëm në historinë e teatrit dhe të kinemasë, por edhe në historinë shpirtërore të Greqisë moderne si zëri i një artisteje që e jetoi jetën me pasion, me dinjitet dhe me një besim të palëkundur se kultura është një nga mënyrat më të bukura për të mbrojtur identitetin e një kombi.
