Në çdo shoqëri funksionale, administrata publike është ura që lidh qytetarët me shtetin, një mekanizëm ku vend met, shërbimet dhe politikat bëhen të prekshme për individin. Por kjo urë nuk mund të funksionojë nëse komunikimi brenda saj nuk mbështetet mbi një bazë të fortë etike. Etika e komunikimit nuk është një detaj formal apo një kufizim burokratik por një gur themeli mbi të cilin ndërtohet besimi midis shtetit dhe qytetarit, efikasiteti i shërbimit publik dhe legjitimiteti i institucionit. Administrata publike, duke vepruar në interes të qytetarëve, përballet me informacion të ndjeshëm, vendime që prekin jetët e njerëzve dhe situata komplekse që kërkojnë jo vetëm njohuri teknike, por edhe ndjeshmëri morale. Në këtë kontekst, komunikimi etik kërkon saktësi, transparencë dhe përgjegjësi, duke shmangur çdo keqinformim, manipulim ose paragjykim. Për shembull, një punonjës që informon qytetarin mbi procedurat administrative duhet të sigurohet se informacioni është i plotë, i qartë dhe i drejtë, pa fshehje që mund të krijojë konfuzion ose padrejtësi. Përveç transparencës, ndershmëria është shtylla tjetër e komunikimit etikal. Një administratë që fsheh informacionin ose që përdor gjuhë të dykuptueshme rrezikon jo vetëm besimin e qytetarëve, por edhe integritetin e vet institucional. Hulumtimet tregojnë se në vendet ku komunikimi publik është i qartë dhe i ndershëm, qytetarët ndihen më të përfshirë, bashkëpunues dhe të gatshëm të respektojnë rregullat, ndërsa shkeljet administrative dhe ankesat reduktohen ndjeshëm. Gjithashtu, komunikimi etik në administratë ka një dimension ndërpersonal dhe kulturore. Punonjësit duhet të trajtojnë qytetarët me respekt, të dëgjojnë shqetësimet e tyre dhe të shmangin paragjykimet bazuar mbi statusin social, gjininë, etninë apo bindjet. Një qasje e tillë promovon barazinë dhe ndihmon në krijimin e një ambienti shërbimi publik që është i drejtë, gjithëpërfshirës dhe i besueshëm. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përdorimi i teknologjisë dhe mediave digjitale. Sot, shumë shërbime administrative bëhen online, duke e bërë komunikimin publik më të shpejtë dhe më të aksesueshëm por kjo nuk largon përgjegjësinë etike përkundrazi, në këtë epokë, qytetari pret që informacioni i shpërndarë të jetë i verifikuar, i plotë dhe i kuptueshëm, ndërsa çdo keqinformim mund të çojë në mosbesim masiv dhe tensione sociale. Etika e komunikimit nuk është vetëm një detyrë morale e punonjësve, por një strategji për rritjen e efikasitetit institucional. Administrata që komunikon në mënyrë etike redukton gabimet, përmirëson shërbimet dhe krijon një marrëdhënie bashkëpunimi me qytetarët, që më në fund rezulton në një funksionim më të mirë të institucioneve dhe një shoqëri më të drejtë.
E pra, komunikimi etik në administratën publike nuk është thjesht një standard profesional, por një imperativ shoqëror që definon se si një qytetar percepton shtetin, si ai ndërvepron me institucionet dhe sa i fortë është besimi që e lidh individin me komunitetin dhe ligjin. Një administratë që bën transparencën, ndershmërinë, respektin dhe përgjegjësinë parime bazë në komunikim, krijon jo vetëm institucione më të forta, por edhe një kulturë qytetarie ku qytetari dhe shteti janë partnerë të njëri-tjetrit dhe jo kundërshtarë.
Etika e komunikimit në administratën publike , themeli i besimit dhe efikasitetit institucional
Ndaje
