Ndonjëherë, mjafton një fjalë e hedhur në korridor, një shikim që shmanget ose një buzëqeshje ironike për të ndryshuar ditën e një fëmije dhe si mësues, i shoh këto heshtje që nuk shihen në regjistër e që shpesh fshehin një dhimbje që peshon më shumë se çdo çantë libri, një dhimbje që prek si trupin ashtu edhe shpirtin. Sot, në Ditën Botërore të Obezitetit, e promovuar nga World Obesity Federation, dua të flas për këtë peshë të padukshme, për frikën që lind kur trupi nuk përputhet me standardet e shoqërisë, për turpin që krijohet nga krahasimet dhe për rrezikun që shtrihet mes shëndetit fizik dhe atij social, sepse një fëmijë që ndjehet i gjykuar nuk është vetëm i prekur në kilogramët e tij, por edhe në vetëvlerësimin e tij më të thellë, në dëshirën për të marrë pjesë në lojë, në besimin për të marrë hapin e parë për të folur në klasë apo për të kërkuar ndihmë kur ka nevojë. Obeziteti nuk është mungesë vullneti, as dembelizëm dhe nuk matet me moralin e dikujt por një gjendje komplekse, ku ndërthuren faktorë biologjikë, psikologjikë, ekonomikë dhe kulturorë, dhe që, në një botë ku ushqimi i përpunuar është më i lirë se ai i shëndetshëm, ku stresi i ditës zëvendëson lëvizjen dhe ku ekrani shpesh zëvendëson lojën, trupi i fëmijës reagon për të ruajtur energjinë dhe për të mbrojtur veten, shpesh duke paguar një çmim të heshtur që nuk shihet menjëherë, por që shfaqet në analizat e mëvonshme, në lodhjen e përditshme dhe ndonjëherë edhe në shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor. Dhe ndërsa rreziku shëndetësor është i qartë , diabeti tip 2, hipertensioni, sëmundjet kardiovaskulare, çrregullimet metabolike që mund ta shoqërojnë fëmijën gjatë gjithë jetës, një tjetër rrezik po aq i dëmshëm shtrihet në sferën sociale, bullizmi, përjashtimi, etiketimi që e redukton një fëmijë në një trup ose një nofkë dhe që lind shumë shpesh nga një shaka e vogël, një shikim ironik ose një koment që duket i pafajshëm, por që ndikon thellë në mënyrën si fëmija sheh veten. Ky turp i brendshëm, i ushqyer përditë nga shoqëria dhe nga frika e gjykimit, mund ta largojë nga sporti, nga palestra, nga shoqëria dhe mund ta mbyllë brenda vetes, duke e bërë shëndetin social dhe emocional një barrë që është po aq e rëndë sa çdo problem fizik. Prandaj, përgjegjësia e parë për këtë situatë fillon në shtëpi. Prindi është hapi i parë për të ndërtuar një kulturë të kujdesit dhe respektit për trupin, mënyra si flitet për ushqimin, për lëvizjen, për trupin e vet dhe të të tjerëve krijon modele që fëmija i merr me vete në klasë, në park, në korridorët e shkollës. Nëse shtëpia është vendi ku trupi shihet si një armik që duhet ndryshuar, fëmija do ta shohë veten si gabim që duhet korrigjuar, nëse shtëpia e tregon trupin si një shtëpi për t’u kujdesur, fëmija do të mësojë të ndërtojë vetëbesim, të respektojë të tjerët dhe të kërkojë ndihmë kur ka nevojë, pa frikë nga tallja apo përjashtimi. Shëndeti fizik dhe dinjiteti social nuk janë dy beteja të ndara por dy anë të së njëjtës monedhë. Një fëmijë i shëndetshëm nuk është vetëm ai që ka analiza të mira laboratorike, por edhe ai që hyn në klasë pa frikë se do të gjykohet, që mund të luajë, të flasë dhe të marrë vendimet e veta pa ndjenja turpi. Një fëmijë i sigurt nuk është ai që përshtatet me standardet e dikujt tjetër, por ai që e di se vlera e tij nuk matet me kilogramë, nuk kufizohet nga etiketat dhe nuk cenohet nga tallja. Prandaj, sot, në këtë Ditë Botërore të Obezitetit, le të flasim me seriozitet për rrezikun shëndetësor, por me po aq vendosmëri për rrezikun social, duke kërkuar edukim ushqimor në shkolla, programe mbështetjeje psikologjike që nuk stigmatizojnë dhe politika shëndetësore që e vendosin njeriun mbi statistikat. Por mbi të gjitha, le të kujtojmë se ndryshimi fillon në shtëpi, në mënyrën si prindi e sheh dhe e trajton trupin, të vetin dhe të fëmijës. Sepse trupi nuk është armik për t’u ndëshkuar dhe fëmija nuk është problem për t’u korrigjuar por një jetë në ndërtim, dhe ne, të rriturit, jemi arkitektët e parë të sigurisë, vetëbesimit dhe dinjitetit të tij.
