Ka çaste kur koha duket se humbet drejtimin, kur realiteti rrëshqet nga duart tona dhe bota e njohur kthehet papritur në të panjohur. Një rrugë që kemi parë për herë të parë duket e njohur, një fytyrë që duket e re ngjason me një kujtim të harruar, një fjali e zakonshme ndjehet e çuditshme, sikur po e lexon për herë të parë. Këto momente të shkurtra dhe të papritura janë si dritare të vogla që hapen drejt mistereve të mendjes, ku habia dhe një lloj ankthi i hollë përzihen, duke na kujtuar se perceptimi ynë i realitetit është gjithmonë i brishtë, i gjallë dhe i rrjedhshëm. Dy nga këto momente kanë marrë emra francezë, një gjuhë që duket se i përkrah elegancën dhe subtilitetin e tyre. Déjà Vu, “tashmë e parë”, dhe Jamais Vu, “kurrë e parë” dhe megjithëse duket se janë të kundërta, ato janë dy fytyra të së njëjtës dukuri, dy mënyra që truri ynë përdor për të humbur përkohësisht kontaktin me kohën dhe kujtesën, duke na lënë të shohim botën nga një kënd i ri dhe i pazbuluar. Déjà Vu. Kujtesa që shkëlqen për një çast Çdokush e ka përjetuar atë ndjesi të çuditshme ku je në një vend të panjohur, dëgjon një bisedë të re, jeton një moment të paparë dhe papritmas godet ajo ndjesi e mrekullueshme dhe e pasqarueshme, e kam jetuar këtë më parë, e kam parë këtë më parë. Ndjenja është aq e fortë sa mendja të bindet për një sekondë se diçka e njohur është duke ndodhur, dhe pastaj zhduket gradualisht, duke lënë pas vetëm një kujtim të mjegullt dhe pyetjen, ku e kam parë unë këtë? Psikiatri francez Émile Boirac e emërtoi këtë fenomen në fund të shekullit të XIX, dhe që atëherë déjà vu ka mbetur një mister i bukur i mendjes njerëzore, duke prekur kufirin e hollë mes kujtesës dhe perceptimit. Shkenca shpjegon se truri aktivizon ndjenjën e njohjes pa sjellë kujtimin konkret që e shpjegon atë, një gabim i përkohshëm i sistemit të kujtesës që shfaqet më shpesh tek të rinjtë, kur truri funksionon nën kapacitet të lodhur, të stresuar ose të privuar nga gjumi, dhe që zhduket me kalimin e moshës. Por përtej shkencës, déjà vu ka jetuar në imagjinatën njerëzore për mijëra vjet. Platoni e lidhi me kujtesën e botës së ideve, Budizmi dhe Hinduizmi e shohin si shenja të jetëve të mëparshme, ndërsa mistikët dhe shkrimtarët e mëdhenj, Proust, Dickens, Dostoevski e kanë trajtuar si dritare të hapura drejt të panjohurës, ku realiteti duket i çarë dhe shfaq diçka të pashpjegueshme. Jamais Vu.
Një botë e njohur që bëhet e huaj. Nëse déjà vu është kur e huaja duket e njohur, jamais vu është momenti i kundërt, ai çast kur e njohura bëhet papritur e huaj, kur diçka shumë familjare, një fjalë, një fytyrë, një vend humbet kuptimin e saj dhe qëndron para nesh si diçka e panjohur dhe e çuditshme. Një fjalë që e kemi përdorur gjithë jetën, një fytyrë e dashur apo një vend që e dimë mirë, mund të duket si një enigmë e re, dhe ajo ndjesi e çuditshme shpesh lë pas një tronditje të thellë që na kujton se mendja është gjithmonë më misterioze se çdo shpjegim. Chris Moulin, psikolog britanik, ka demonstruar fenomenin përmes eksperimenteve të thjeshta të përsëritjes së fjalëve, duke treguar se truri, kur ekspozohet te tepërt, humbet lidhjen mes stimulit dhe kuptimit, duke e bërë të njohurën të duket e huaj. Në format e tij ekstreme, siç ndodh tek sindroma Capgras, jamais vu mund të shkatërrojë perceptimin dhe marrëdhëniet më të çmuara, duke kthyer fytyrën e të dashurve tanë në të huaj. Déjà vu dhe jamais vu janë dy anë të së njëjtës monedhë, tregojnë se kujtesa dhe perceptimi ynë nuk janë regjistrime të ftohta të realitetit, por krijime aktive, dinamike dhe të rrjedhshme që herë pas here gabojnë, zhduken ose na çojnë drejt një universi të vogël misterioz, ku koha humbet drejtimin, e njohura bëhet e huaj dhe e huaja duket e njohur. Ky mekanizëm është po i njëjti që na lejon të ëndërrojmë, të krijojmë art dhe të imagjinojmë të ardhmen, i njëjti që herë pas here na dhuron ato çaste magjike kur realiteti ndahet dhe diçka e fshehtë shfaqet për një çast. Herën tjetër kur ndjesia e çuditshme të kap, qoftë një déjà vu që të bën të mendosh se ke jetuar një moment më parë, ose një jamais vu që bën që e njohura të duket e huaj, ndalo për një çast, shijo çuditshmërinë dhe lejo mendjes të të tregojë se misteri është pjesë e saj më e bukur. Këto çaste na kujtojnë se truri ynë, i pafund dhe plot mister, nuk është makinë e pagabueshme, por një sistem gjallë, i aftë të krijojë dashuri, art, kuriozitet dhe pyetje pafund për ekzistencën, dhe pikërisht për shkak se gabon herë pas here, ai është gjithashtu i aftë për të na dhuruar magjinë e çasteve që nuk do t’i harrojmë kurrë.
Ndaje
