Dopamina, gënjeshtra e bukur që na mban gjallë.

Ndaje

Jemi mashtruar shpesh herë nga vetja jonë, nga ai laborator i vogël biokimik që mbajmë brenda kafkës dhe i cili, me elegancën e një magjistari të vjetër, ka gjetur mënyrën më të sofistikuar dhe të rafinuar për të na bërë të vazhdojmë, të kërkojmë, të ëndërrojmë dhe të dëshirojmë, jo duke na dhënë lumturinë, por duke na premtuar vazhdimisht se ajo ndodhet pak më tutje, pas kthesës tjetër, pas arritjes tjetër, pas blerjes tjetër, pas postimit tjetër që do të marrë më shumë “pëlqime” se i mëparshmi, duke na mbajtur gjithnjë në një gjendje pritjeje dhe pasigurie që e bën jetën tonë të duket gjithmonë pak më e rëndësishme nga ajo që është realisht. Kjo substancë quhet dopamina dhe është ndoshta personazhi më keqkuptuar, më i keqpërdorur dhe njëkohësisht më i mahnitshëm i të gjithë kimisë njerëzore, sepse, ndërkohë që shumica e njerëzve e kanë dëgjuar fjalën dhe e kanë kuptuar menjëherë gabim, kultura popullore e ka vjedhur dhe e ka kthyer në një etikëtë të thjeshtë dhe të sheqerosur duke deklaruar se “dopamina është hormoni i lumturisë,” ndërkohë që kjo është një gabim themelor, sepse lumturia është serotonina, një substancë që edhe ajo është shumë më komplekse sesa etiketa e saj dhe që nuk ka të bëjë me motivimin për të kërkuar kënaqësinë, gjë që është thelbësore për kuptimin e dopaminës, e cila nuk është lumturia por dëshira për lumturinë, dhe dallimi mes këtyre dy gjërave, mes lumturisë dhe dëshirës për të, është ndoshta dallimi më tragjik dhe më thellësisht njerëzor që ekziston. Neuroshkencëtari Kent Berridge, përmes eksperimenteve të bëra me minj, tregoi se kur sistemi dopaminergjik i miut neutralizohej plotësisht, ai ndalonte të kërkonte ushqim, të lëvizte, të eksploronte dhe të gjuante, por nëse ushqimi vendosej drejtpërdrejtë në gojën e tij, minjtë e hanin dhe e shijonin normalisht, duke treguar qartë se dopamina nuk është kënaqësia, por nxitja për të kërkuar kënaqësinë, motori që na bën të veprojmë, të ëndërrojmë dhe të eksplorojmë dhe ky motor është njëkohësisht gjeniu dhe tragjedia jonë më e madhe. Është gjeniu, sepse pa dopaminën ne nuk do të ishim asgjë, çdo arritje njerëzore, çdo libër i shkruar, çdo mal i ngjitur, çdo vaksinë e zbuluar, çdo simfoni e kompozuar ka pas vetes atë zë të qetë dhe të papushtueshëm të dopaminës që thotë “vazhdo, ka diçka atje, nuk ke mbaruar ende,” duke na dhënë energjinë e kuriozitetit, të ambicies dhe të eksplorimit, dhe pa të, specia jonë do të kishte ndaluar miliona vjet më parë, e kënaqur me gropën e parë të gjetur dhe zjarrin e parë të ndezur, duke humbur mundësinë për të ndërtuar qytetërimin që njohim sot. Por tragjedia qëndron në faktin se i njëjti mekanizëm që na bëri të ndërtojmë qytetërime dhe të arrijmë kulme të njohjes dhe krijimit, sot na bën të rrëshqasim pa fund nëpër ekranin e telefonit në orën dy të natës, duke kërkuar diçka që nuk dimë çfarë është dhe që nuk do ta gjejmë kurrë atje, por nuk ndalojmë sepse dopamina, pa mëshirë dhe pa pushim, na thotë “ende pak, ende një scroll, ndoshta tjetra është ajo.” Rrjetet sociale, me saktësinë e një kirurgu, e kanë kuptuar këtë fenomen sepse ato nuk janë ndërtuar për të na bërë të lumtur, por për të na mbajtur të lidhur dhe mënyra se si e arrijnë këtë është duke stimuluar dopaminën pa e shuar kurrë plotësisht, duke përdorur shpërblimin rastësor që prodhon sasi të mëdha të kësaj substancë dhe që na bën të vazhdojmë pafundësisht të kërkojmë atë që nuk ekziston, ashtu siç tregoi eksperimentimi klasik i Skinner, ku miu që merrte shpërblim rastësisht shtypte çelësin deri në kolaps fizik, ndërkohë që sot ne jemi ata minj dhe çelësi është telefoni ynë. Megjithatë, dopamina nuk është thjesht mekanizëm shfrytëzimi por gjuhë, energji dhe mjet i brendshëm i mësimit dhe rritjes. Kur bëjmë një lidhje të papritur mes dy ideve, kuptojmë papritur diçka që nuk kuptonim, ose lexojmë një fjali që shpreh diçka që kemi ndjerë gjithmonë, por nuk kemi ditur si ta formulojmë, ndjenja e vogël elektrike dhe shpërthimi i kënaqësisë intelektuale është dopamina që na mëson, na motivon dhe na ushqen intelektualisht, duke krijuar kuriozitet, vazhdimësi dhe rritje personale. Çrregullimet ku dopamina mungon ose është e çrregulluar si në sëmundjen e Parkinsonit, ku mungesa e saj e vjedh lëvizjen dhe rregullsinë, ose te skizofrenia, ku teprica e saj në zona të caktuara çrregullon perceptimin dhe motivimin, na tregojnë qartësisht se ekuilibri i këtij sistemi është themelor për funksionimin normal të njeriut, dhe çdo varësi, qoftë nga substancat, qoftë nga sjelljet, nuk është dështim moral, por pasojë e bombardimit të sistemit dopaminergjik me sasi të jashtëzakonshme të kësaj substancë, duke e çorientuar trurin dhe duke bërë që kënaqësitë e zakonshme të duket se nuk kanë vlerë. Dopamina nuk është armiku por motori ynë bazë, energjia që ka ndërtuar qytetërime, shpikur ide dhe frymëzuar gjenerata, ajo kërkon vetëm drejtues të vetëdijshëm mbi timon, sy të hapur mbi rrugën dhe investim në gjëra që e meritojnë këtë dëshirë , projekte të gjata dhe të vështira, marrëdhënie reale, mësim dhe rritje, sepse dopamina prodhuar nga përpjekja e vërtetë është e njëjtë molekulare me dopaminën e shkaktuar nga scroll-i pafund i ekranit, por përvojat që lë pas janë si nata dhe dita. Pa këtë vetëdije, dopamina na çon shpejt dhe bukur por jo domosdoshmërisht ku duam të shkojmë. Me të, ne mund të ndërtojmë botën tonë, por vetëm nëse kemi duart mbi timon dhe sy mbi rrugë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit