E diela ime

Ndaje

E diela vjen si një frymë qetësie pas një jave që më ka shpërndarë në orare dhe detyrime. Nuk troket me ngut, nuk kërkon llogari, thjesht hyri në shtëpi me dritën e mëngjesit që prek butësisht tapetin dhe me aromën e kafes që ngjitet ngadalë, duke më thënë: sot mund të ndalesh dhe të ndjesh. Më pëlqen të ulemi të gjithë rreth tryezës së zbukuruar me trapezomandilen e së dielës, ku çdo detaj duket më i gjallë dhe më i ngrohtë. Ushqimi i ngrohtë përhap aromën e dashurisë, çdo kafshatë duket se përmbledh kujtime, dhe një ëmbëlsirë e vogël që pret në qoshe sjell një buzëqeshje të fshehur për secilin. Është një moment i thjeshtë, por i magjishëm, ku ndjej se koha ndalet dhe gjithçka e bën të duket e përkryer. Pi kafenë time ngadalë dhe shikoj fytyrat e tyre; shoh qetësinë në sytë e fëmijëve dhe ndjej ngrohtësinë që vetëm prania e vërtetë mund ta sjellë. Bisedat zgjasin më shumë, heshtja nuk është bosh, por e mbushur me praninë e dikujt që të do. Është këtu, në këto detaje të vogla, që ndjej bukurinë e vërtetë të familjes. Pas drekës, ndezim një film të thjeshtë dhe ulur pranë njëri-tjetrit ndjej se çaste të vogla bëhen të mëdha. Një përqafim i papritur, një shikim i ndarë pa fjalë, një qeshje që përhap dritë në dhomë – këto janë momentet që mbeten. Dhe ndjej një mirënjohje të thjeshtë: për këtë qetësi, për këtë praninë që nuk kërkon asgjë, për buzëqeshjet e vogla që më kujtojnë se çdo lodhje e javës ka një arsye. E diela më mëson se nuk ka luks më të madh se të jesh pranë tyre. Nuk ka rëndësi sa punë kam bërë, sa orare kam ndjekur, sa gjëra të tjera më presin. Sot është dita ime për të ndjerë, për të shijuar çdo moment: ushqimin e ngrohtë, tryezën e zbukuruar, një film të thjeshtë, një përqafim, një shikim që flet më shumë se fjalët. Kur nata zbret dhe shtëpia qetësohet, mbetem me ndjesinë e ëmbël të mirënjohjes: për dritën mbi tryezë, për aromën që mbush dhomën, për buzëqeshjet që ndanë ditën tonë. E diela nuk është vetëm pushim; është një ditë që më kujton se bukuria e jetës fshihet në gjërat më të thjeshta dhe që dashuria, në heshtje dhe praninë e saj të qetë, është gjithçka që na duhet.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit