A do e pimë një ☕️?

Ndaje

Nuk është një pyetje rutine por dhe as një ftesë e zakonshme që thuhet sa për të thënë. Aspak. Përkundrazi është mënyra ime e butë për të thënë se më ke munguar. Është thjesht një fjali e vogël por që nuk i serviret kujdo, ajo që hap dyer, që afron karriget, që shkurton distancat fare pa bërë zhurmë. Unë e them shpesh këtë shprehje magjike me ata që i kam shumë për zemër.
A do e pimë kafen? Dhe në atë çast nuk propozoj këtë pije magjike por kohë, prani, vëmendje dhe luksin e rrallë që quhet “të jesh pranë” Kafeja është e preferuara ime pasi ka diçka të çuditshme në aromën e saj , si një parfum i padukshëm, një lloj si Chanel-i im i përjetshëm që nuk vishet në lëkurë por në shpirt. Më pëlqen kur jam e lumtur sepse e bën gëzimin më të plotë, si një theks i ëmbël në fund të një fjalie të bukur. Më pëlqen kur jam e mërzitur sepse më jep ndjesinë se gjithçka mund të thuhet pa u gjykuar, sikur filxhani të më dëgjonte me durim dhe kur jam e lodhur më zgjon butësisht. Por edhe kur jam e përgjumur, më përqendron si një dorë që të rregullon flokët para pasqyrës. Kur jam e trazuar më qetëson, si një përqafim i ngrohtë që nuk kërkon shpjegime. E pi në çdo orë të ditës pa kufizim dhe aspak nga nevoja për kafeinë, por nga nevoja për ritualin, për atë moment të vogël ndalese që më rikthen tek vetja, që më kujton se dita nuk duhet vetëm të vrapohet por edhe të shijohet. Kafeja më kujton miqësinë, tryezat e vogla ku rrëfehen sekrete, ku të qeshurat shpërthejnë papritur dhe ku heshtjet nuk janë kurrë të sikletshme.
Më kujton familjen, bisedat që zgjasin më shumë se filxhani, ku fjala “ikim” thuhet disa herë para se të çohemi vërtet.
Më kujton fillime të reja dhe mbyllje të buta, ato momente kur diçka nis me drojë ose mbaron me dinjitet dhe është ajo që nuk të lë kurrë vetëm. Edhe kur jam vetëm fizikisht, filxhani përballë meje është si një bashkëbisedues i heshtur ku më jep kohë të mendoj, të shkruaj, të kuptoj, të fal, të vendos, të marr frymë më thellë dhe në avullin e saj ka gjithmonë një copë qetësie që më pret. Prandaj, kur them , a do e pimë kafen, unë them, të shijojmë kohën dhe jetën e le ta përziejmë pak me buzëqeshje, me reflektim, me dashuri të thjeshtë njerëzore duke e pirë ngadalë, si çdo gjë që ka vlerë. Sepse ndonjëherë, gjithçka që na duhet për t’u ndjerë më afër, është një tavolinë e vogël, dy filxhanë të ngrohtë dhe një bisedë e thënë me zemër.🫶

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit