Kur isha fëmijë, nuk i shihja të përqafoheshin e të buzëqeshnin shpesh por diçka më të fuqishme, mënyrën se si mbështesnin njëri-tjetrin, si sakrifikonin me dashurinë më të bukur, atë që nuk kërkon shpërblim, deri sa u thinjën dhe u ndanë nga njëri-tjetri. Dashuria e tyre pa interesa, e qetë dhe e vërtetë është modeli i dashurive tona. Ajo më mësoi se të duash nuk është thjesht një ndjenjë por një vendim i përditshëm, të qëndrosh pranë, të japësh pa kushte, të kuptosh pa fjalë dhe të mbështesësh pa pritshmëri. Çdo sakrificë e vogël, çdo përkujdesje e heshtur, çdo moment i thjeshtë që ata ndanë së bashku, ishte një leksion mbi dashurinë e vërtetë. Dhe sot e ndjej atë model sepse dashuria e vërtetë nuk është e zhurmshme, nuk është dramatike por qëndron, rritet dhe mbetet edhe kur jeta është e vështirë. Në këtë 14 shkurt, dua të kujtoj se dashuria më e bukur është ajo që zgjedh të qëndrojë çdo ditë, siç e bënë ata, prindërit e mi të mrekullueshëm, dhe që na mëson se dashuria e vërtetë është e përjetshme.
