Në botën ku komunikimi ndodh me një klik dhe fjalët udhëtojnë më shpejt se mendimi, interneti është bërë një hapësirë ku njerëzit lidhen, mësojnë dhe ndajnë jetën e tyre. Por, në të njëjtën kohë, ai është shndërruar edhe në një terren ku fjalët mund të lëndojnë më fort se çdo goditje fizike. Bullizmi kibernetik është një nga plagët më të heshtura, por më të dhimbshme të kohës sonë. Ai nuk ka nevojë për prani fizike. Mjafton një koment i ashpër, një tallje publike, një foto e shpërndarë pa leje apo një mesazh që synon të poshtërojë. Pas ekranit shpesh fshihet një guxim i rremë, që harron se në anën tjetër ndodhet një fëmijë me ndjenja, frikëra dhe ëndrra. Bullizmi kibernetik është veçanërisht i rrezikshëm sepse nuk njeh orar. Ai nuk mbaron me zilen e fundit të shkollës dhe as me mbylljen e derës së klasës. Ai ndjek fëmijët në telefonat e tyre, në rrjetet sociale dhe në çdo hapësirë virtuale ku ata kërkojnë komunikim dhe përkatësi. Fjalët që duken të vogla për dikë, për një tjetër mund të jenë plagë të thella që ndikojnë në vetëbesim, në marrëdhënie dhe në shëndetin emocional. Sot, institucionet arsimore po i japin një rëndësi të madhe sigurisë fizike në shkolla, një hap i domosdoshëm dhe i mirëpritur por realiteti i ri kërkon një qasje më të gjerë. Ndërsa korridoret monitorohen dhe mjediset shkollore mbikëqyren, një pjesë e madhe e jetës së fëmijëve zhvillohet në botën digjitale, aty ku rreziku është më i fshehtë dhe shpesh më i thellë. Siguria e fëmijëve nuk mund të kufizohet vetëm brenda mureve të shkollës. Ajo duhet të shtrihet edhe në hapësirën virtuale, ku shpesh lindin dhe përhapen konfliktet, talljet dhe përjashtimi social. Në këtë pikë, roli i Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve arsimore bëhet vendimtar. Për të mbrojtur realisht fëmijët nga bullizmi kibernetik, është e nevojshme të ndërmerren politika dhe praktika konkrete dhe afatgjata.
Bullizmi kibernetik nuk lind vetëm nga ata që bullizojnë. Ai ushqehet edhe nga heshtja e atyre që shohin dhe nuk reagojnë. Çdo herë që një tallje shpërndahet, çdo herë që një koment i ashpër kalon pa u kundërshtuar, bullizmi fiton terren.
Ndaj është koha të kuptojmë se interneti nuk është një botë pa përgjegjësi. Fjalët tona, edhe kur shkruhen pas një ekrani, kanë peshë dhe ndikim real.Respekti, empatia dhe kujdesi për tjetrin duhet të jenë po aq të pranishme në hapësirën digjitale sa edhe në jetën reale. Siguria e fëmijëve sot nuk matet vetëm me praninë fizike në shkollë, por edhe me mbrojtjen e tyre në botën virtuale. Nëse duam një brez të sigurt, të shëndetshëm emocionalisht dhe të ndërgjegjshëm, duhet të kuptojmë se lufta kundër bullizmit kibernetik është një përgjegjësi e përbashkët.Sepse një mesazh i mirë mund të shpëtojë një ditë… por një fjalë e keqe mund të lërë gjurmë për një jetë.
Ndaje
