Gazetaria radiofonike është ndoshta arti më i padukshëm dhe njëkohësisht më depërtues i komunikimit. Ajo nuk mbështetet te drita e kamerës, as te fuqia e imazhit të gatshëm por jeton vetëm përmes zërit dhe pikërisht për këtë arsye, kërkon një mjeshtëri më të hollë, më të ndjeshme dhe më njerëzore. Zëri i gazetarit radiofonik nuk është thjesht mjet informimi por urë mes realitetit dhe imagjinatës së dëgjuesit. Në çdo frymëmarrje, në çdo luhatje të tonit, në çdo pauzë të menduar me kujdes, fshihet një botë e tërë emocionesh që dëgjuesi e ndërton vetë. Radioja nuk i imponon pamjen përkundrazi ajo e fton mendjen ta krijojë dhe pikërisht këtu qëndron magjia e saj. Gazetari radiofonik është një piktor pa penel, një regjisor pa skenë, një rrëfimtar që ndërton universin e tij vetëm me tinguj. Ngjyra e tonit të zërit bëhet dritë, bëhet horizont, bëhet atmosferë. Një fjali e thënë me ngrohtësi mund të krijojë siguri, e njëjta fjali, e mbështjellë me gravitet, mund të zgjojë reflektim apo shqetësim. Një pauzë e vogël mund të jetë më e fuqishme se një paragraf i tërë, sepse është momenti kur dëgjuesi ndërton në heshtje botën që po i rrëfehet. Dhe në një epokë të mbushur me imazhe të shpejta dhe informacion të vrullshëm, radioja mbetet hapësira ku fjala merr frymë. Ajo kërkon gazetarë që dinë të dëgjojnë po aq sa dinë të flasin, që e kuptojnë se ritmi i fjalës është një muzikë e padukshme, por thellësisht ndikuese. Sepse dëgjuesi nuk lidhet vetëm me informacionin por me ndjesinë që zëri i transmeton. Gazetari radiofonik mban një përgjegjësi të rrallë sepse ai hyn në jetën e njerëzve pa trokitur.
Ai shoqëron udhët, punët e përditshme, momentet e vetmisë apo të reflektimit dhe për këtë arsye, çdo fjalë duhet të peshohet, çdo intonacion duhet të jetë i sinqertë, çdo frymëmarrje duhet të jetë njerëzore.
Radioja nuk fal artificin, sepse dëgjuesi e ndien menjëherë kur zëri nuk buron nga e vërteta. E pra me dashurinë e bukur për radion e them me zë të lartë se gazetaria radiofonike, e pazëvendësueshme, mbetet një dialog i heshtur mes zërit dhe imagjinatës. Ajo është prova se ndonjëherë, për të parë më qartë, mjafton të mbyllësh sytë dhe të dëgjosh dhe aty, në atë hapësirë të padukshme ku fjala shndërrohet në imazh, gazetari radiofonik bëhet arkitekti i botëve që lindin vetëm në mendjen dhe zemrën e dëgjuesit. Gëzuar Ditën e Radios!
Ndaje
