Ka ditë kur jeta duket si një listë e pafund detyrash. Zgjohemi me mendjen plot, flemë të lodhur dhe, diku në mes, humbasim veten. Presioni për të qenë produktivë, të fortë, gjithmonë në rregull, na shtyn ngadalë drejt një mërzie të heshtur e në këto momente, unë kthehem te letërsia. Jo për t’i ikur jetës përgjithmonë, por për të bërë një pushim të vogël. Letërsia është ajo pauzë e butë që nuk të kërkon asgjë, përveçse të lexosh. Nuk të gjykon, nuk të nxiton, nuk të mat me orë por thjesht të merr për dore dhe të çon diku tjetër, larg zhurmës së përditshme. Kur lexoj, presioni zbehet, problemet nuk zhduken por humbasin ashpërsinë dhe një histori, një fjali e bukur, një mendim i thellë, mjaftojnë për ta bërë barrën më të lehtë. Nëpër libra gjej njerëz që ndihen si unë, që kanë frikë, që dyshojnë, që lodhen dhe kjo më kujton se mërzia dhe rraskapitja nuk janë dështime, por pjesë e të qënit njeri. E pra, letërsia nuk ofron zgjidhje të shpejta, nuk premton sukses apo lumturi të menjëhershme por ofron diçka më të vlefshme, qetësinë. Një qetësi që lind nga të kuptuarit, nga ndjeshmëria, nga fakti që nuk je vetëm në mendimet e tua. Ndoshta për këtë arsye Fernando Pessoa kishte të drejtë kur thoshte se letërsia është mënyra më e këndshme për ta injoruar jetën “ e lodhshme”. Sepse ndonjëherë, për ta përballuar jetën, duhet fillimisht të largohesh pak prej saj dhe librat janë mënyra më e bukur për ta bërë këtë.
