Ka tema që nuk lindin në tryeza simpoziumesh dhe as në dokumente strategjike por nga nevoja reale e kohës dhe nga përvoja konkrete e praktikës arsimore. Edukimi për qytetari globale është një prej tyre. Përpara se të artikulohej si koncept i konsoliduar akademik dhe përpara se të hynte në axhenda ndërkombëtare, ai ishte tashmë pjesë e punës së përditshme të formimit të mësuesve, si përpjekje për të përgatitur individë të aftë të mendojnë në mënyrë kritike, të veprojnë me përgjegjësi dhe të kuptojnë botën përtej kufijve të ngushtë lokalë. Prej vitesh kam qënë lektore e edukimit për qytetari globale në kurset e trajnimit të mësuesve, në një kohë kur ky koncept nuk ishte as slogan dhe as temë debati publik, por domosdoshmëri pedagogjike. Atëherë flitej për përgjegjësi qytetare, mendim kritik, dialog ndërkulturor dhe pjesëmarrje aktive si kompetenca konkrete që mësuesit duhej t’i mishëronin në praktikën e tyre të përditshme. Qëllimi nuk ishte thjesht transmetimi i njohurive, por formimi i një qëndrimi qytetar që shtrihej përtej klasës dhe programit mësimor. Sot, e njëjta temë shfaqet e formalizuar dhe e strukturuar si bosht diskutimi në një simpozium ndërkombëtar. Ky fakt nuk është thjesht tregues i zhvillimit akademik, por edhe një ftesë për reflektim kritik. Përsëritja e kësaj teme tregon se problemi nuk qëndron në mungesën e njohurive profesionale të mësuesve, por në hendekun midis asaj që dihet dhe asaj që zbatohet. Mësuesit i njohin shumë mirë detyrat e tyre qytetare dhe edukative por ajo që mungon shpesh janë kushtet institucionale, autonomia profesionale dhe mbështetja strukturore për ta shndërruar këtë dije në veprim të qëndrueshëm. Në këtë kuptim, edukimi për qytetari globale rrezikon të mbetet diskurs normativ, i përsëritur në dokumente dhe forume akademike, por jo gjithmonë i përjetuar në praktikën shkollore. Kur mësuesi kufizohet nga burokracia, nga presioni i rezultateve formale ose nga mungesa e besimit profesional, qytetaria aktive reduktohet në koncept teorik dhe jo në përvojë të gjallë edukative. Fakti që kjo temë rishfaqet sot si prioritet akademik duhet parë njëkohësisht si njohje dhe si paralajmërim. Njohje e punës së bërë më herët nga mësues dhe speciastë profesionistë të fushës që e kanë trajtuar qytetarinë globale si domosdoshmëri arsimore dhe jo si trend kalimtar. Por edhe paralajmërim se pa vazhdimësi, pa ndershmëri intelektuale dhe pa politika arsimore që fuqizojnë realisht mësuesin, edhe idetë më të drejta rrezikojnë të mbeten në nivel deklarativ. E pra, pyetja nuk është më nëse edukimi për qytetari globale është i rëndësishëm sepse këtë e dimë prej kohësh. Pyetja thelbësore është nëse jemi gati ta trajtojmë atë si përgjegjësi reale institucionale dhe shoqërore, duke i dhënë mësuesit jo vetëm detyra por edhe besim, autonomi dhe mbështetje për ta kthyer dijen në veprim qytetar. Vetëm atëherë kjo temë do të pushojë së qënuri e përsëritur dhe do të bëhet realisht transformuese.
