Ka momente në histori kur fjala “tragjedi” nuk mjafton më, sepse dhimbja kapërcen kufijtë e gjuhës dhe mendimi ngec përballë përmasës së krimit. Holokausti është një nga ato momente, kur njerëzimi u detyrua të shohë veten në pasqyrë dhe të pranojë se, nën rrethana të caktuara, është i aftë të shkatërrojë gjithçka që pretendon se përfaqëson, moralin, humanizmin dhe vetë jetën.Kjo tragjedi nuk filloi me britma, por me pëshpëritje. Filloi me ndarje të vogla, me etiketime, me idenë se disa njerëz ishin “të tjerë”, “të huaj”, “të rrezikshëm”. Në Gjermaninë naziste, hebrenjtë u zhveshën gradualisht nga të drejtat e tyre, derisa u zhveshën edhe nga identiteti. Emri u zëvendësua me numër, historia personale me dosje, jeta me statistika. Dhe kur njeriu pushon së qëni individ, dhuna gjen terren të lirë.Holokausti ndodhi sepse shteti vendosi të përcaktojë vlerën e jetës njerëzore dhe sepse shoqëria pranoi këtë hierarki. Ai ndodhi sepse ligji, që duhet të mbrojë, u përdor për të përjashtuar sepse shkenca u shtrembërua për të justifikuar racizmin, sepse propaganda u bë më e fortë se e vërteta. Në këtë klimë, shfarosja nuk u pa si krim, por si detyrë.Në kampet e përqendrimit, vdekja nuk ishte gjithmonë e menjëhershme. Ajo vinte ngadalë, përmes urisë, punës së detyruar, poshtërimit dhe frikës së përhershme. Dhoma gazi ishin kulmi i një procesi çnjerëzimi që kishte filluar shumë më herët. Rreth gjashtë milionë hebrenj u vranë ndërsa miliona të tjerë, nga komunitete të ndryshme, u përfshinë në këtë makineri shkatërrimi. Por edhe këtu, numrat mbeten të pafuqishëm përballë humbjes reale.
Historia është dëshmitarja që nuk harron. Ajo ruan jo vetëm faktet por edhe pyetjet që mbeten pa përgjigje.Si u lejua kjo? Pse nuk u ndal më herët? Dhe ndoshta pyetja më e vështirë, a jemi të sigurt se diçka e ngjashme nuk mund të ndodhë më? Sepse Holokausti nuk është vetëm një kujtim i së shkuarës, por një paralajmërim për të tashmen.Të kujtosh Holokaustin do të thotë të pranosh se demokracia është e brishtë dhe se urrejtja nuk shfaqet gjithmonë me dhunë të hapur, por shpesh fshihet pas fjalëve të zakonshme dhe frikërave kolektive. Kujtesa, në këtë kuptim, nuk është thjesht akt historik por akt moral.
Holokausti na mëson se njeriu humbet gjithçka në momentin kur pranon që një tjetër njeri vlen më pak dhe kjo është ndoshta tragjedia më e madhe nga të gjitha, jo vetëm vdekja e miliona njerëzve, por rrënimi i vetë idesë së njerëzimit.
Ndaje
