Holokausti, tragjedia që historia nuk e mbylli kurrë

Ndaje

Ka tragjedi që u përkasin arkivave dhe ka të tjera që, edhe pse të futura në librat e historisë, vazhdojnë të marrin frymë në ndërgjegjen tonë kolektive. Holokausti është një prej tyre. Jo thjesht një kapitull i errët i shekullit XX, por një provë e dhimbshme se qytetërimi, përparimi dhe arsimi nuk janë gjithmonë pengesë për barbarinë, kur njeriu heq dorë nga përgjegjësia morale dhe e zëvendëson atë me bindje të verbër. Përse ndodhi Holokausti? Ai ndodhi sepse urrejtja u kthye në ideologji dhe ideologjia në shtet. Ndodhi sepse antisemitizmi, i pranishëm prej shekujsh në Evropë, u ushqye nga krizat ekonomike, nga humbja e Luftës së Parë Botërore dhe nga nevoja kolektive për të gjetur një fajtor. Regjimi nazist nuk shpiku urrejtjen por e sistemoi atë, e ligjëroi dhe e shndërroi në politikë zyrtare. Hebrenjtë u përjashtuan gradualisht nga shoqëria, fillimisht me fjalë, më pas me ligje e në fund me dhunë. Ligjet e Nurembergut, propaganda racore dhe përjashtimi nga jeta publike përgatitën terrenin për atë që do të vinte më pas. “Nata e Kristaleve” ishte sinjali se dhuna ishte bërë e pranueshme. Dhe kur Lufta e Dytë Botërore filloi, persekutimi u shndërrua në shfarosje. “Zgjidhja Përfundimtare” , një emër burokratik dhe cinik maskonte një realitet ku vrasja masive administrohej si proces normal shtetëror. Fjala Holokaust vjen nga greqishtja holókaustos, që do të thotë “i djegur tërësisht”. Një fjalë që përpiqet të përshkruajë shkatërrimin total jo vetëm të trupave, por të jetëve, kujtesës dhe kulturës. Hebrenjtë vetë përdorin termin Shoah, “katastrofë”, një emërtim që shmang çdo ide sakrifice dhe e vendos theksin te absurditeti dhe mizoria e krimit. Emri, në këtë rast, është përpjekje për t’i dhënë formë një dhimbjeje që i reziston gjuhës.Në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, si Auschwitz, Treblinka dhe Sobibor, njeriu u zhvesh nga identiteti dhe u reduktua në numër. Rreth gjashtë milionë hebrenj u vranë, ndërsa në total rreth njëmbëdhjetë milionë njerëz humbën jetën si pjesë e këtij mekanizmi shkatërrimi. Por shifrat, sado tronditëse, nuk arrijnë të përmbajnë tragjedinë reale, sepse çdo numër fsheh një emër, një familje, një fëmijëri të ndërprerë dhe një të ardhme të zhdukur. Holokausti nuk është vetëm historia e viktimave dhe e xhelatëve, por edhe historia e atyre që panë dhe heshtën. Heshtja e shoqërive, indiferenca e shteteve dhe frika për të reaguar janë pjesë e pandashme e kësaj tragjedie. E keqja nuk ka nevojë gjithmonë për mbështetje aktive, shpesh i mjafton apatia.
Historia mbetet dëshmitarja e kësaj tragjedie. Ajo ruan dokumente, dëshmi, fotografi dhe rrëfime të të mbijetuarve, por mbi të gjitha ruan një paralajmërim të fortë moral. Holokausti ndodhi në një shoqëri moderne, me institucione, ligje dhe kulturë. Kjo e bën atë edhe më tronditës, sepse na detyron të pranojmë se asnjë shoqëri nuk është imunë ndaj rënies morale. Të shkruash për Holokaustin sot nuk do të thotë vetëm të kujtosh të shkuarën, por të pyesësh veten për të tashmen. Sa lehtë mund të normalizohet urrejtja? Sa shpejt mund të shndërrohet fjala në armë dhe ligji në mjet shtypjeje? Holokausti na kujton se humanizmi nuk është gjendje e përhershme, por zgjedhje e përditshme. Kjo tragjedi mbetet një thirrje që nuk shuhet me kohën, të mos harrojmë, të mos relativizojmë dhe të mos lejojmë kurrë që një njeri të humbasë vlerën e tij për shkak të asaj që është. Sepse historia dëshmon, por është ndërgjegjja jonë ajo që vendos nëse do të mësojmë prej saj.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit