Njeriu mes arsyes dhe pavetëdijes

Ndaje

Që nga fillesat e mendimit filozofik, njeriu ka kërkuar ta kuptojë veten si qënie të arsyes, si subjekt që mendon, gjykon dhe vepron mbi bazën e vetëdijes. Në traditën klasike dhe moderne, arsyeja është parë jo vetëm si mjet njohjeje por si themeli i moralit, i lirisë dhe i përgjegjësisë njerëzore. Të mendosh do të thotë të ekzistosh, por edhe të jesh i aftë të sundosh veten, të përmbash impulset dhe të ndërtosh një rend të brendshëm që pasqyron rendin e botës. Por kjo ide e njeriut racional ka qenë gjithmonë më shumë një aspiratë sesa një realitet i plotë. Përvoja njerëzore tregon se mendimi i kthjellët shpesh ndërpritet nga ndjenja të pashpjegueshme, nga dëshira që lindin pa paralajmërim dhe nga frikëra që nuk gjejnë justifikim logjik. Në këtë hendek mes asaj që mendojmë se jemi dhe asaj që përjetojmë realisht, fillon të shfaqet dyshimi se vetëdija nuk është qendra absolute e personalitetit. Frojdi hyri në këtë terren jo si filozof në kuptimin klasik, por si mjek i shpirtit njerëzor, duke vëzhguar simptomat, ëndrrat, lapsuset dhe heshtjet. Aty ku filozofia kërkonte rregull, ai gjeti konflikt, aty ku morali kërkonte disiplinë, ai gjeti shtypje, aty ku njeriu kërkonte kuptim, ai gjeti pavetëdije. Për të, ajo që nuk thuhet, ajo që shtypet dhe ajo që mohohet ka po aq ndikim sa ajo që shprehet hapur. Në këtë perspektivë, personaliteti i njeriut nuk është një strukturë e qëndrueshme, por një proces i vazhdueshëm negociimi mes forcave të kundërta. Dëshirat kërkojnë kënaqësi, shoqëria vendos kufij, ndërsa vetëdija përpiqet të ruajë një ndjenjë koherence dhe identiteti. Ky ekuilibër nuk është kurrë i përhershëm, ai prishet dhe rindërtohet vazhdimisht, duke lënë gjurmë në sjellje, në marrëdhënie dhe në mënyrën se si njeriu e sheh veten. Frojdi sugjeroi se shumë nga konfliktet tona të brendshme nuk janë aksidente të momentit, por pasoja të përvojave të hershme, të fjalëve të pathëna dhe të pengesave. Fëmijëria, në këtë kuptim, nuk është thjesht një fazë që kalon, por një strukturë që mbetet aktive në pavetëdije, duke ndikuar mënyrën se si duam, si frikësohemi dhe si reagojmë ndaj autoritetit.Nëse filozofia tradicionale kërkonte të ngrinte njeriun drejt idealit të arsyes së pastër, Frojdi e uli vështrimin drejt asaj që është e errët, e paqartë dhe shpesh e pakëndshme. Jo për ta mohuar dinjitetin njerëzor, por për ta çliruar atë nga iluzioni i vetëkontrollit absolut. Sepse, sipas tij, liria nuk lind nga mohimi i instinktit por nga njohja e tij. Në këtë kuptim, njeriu jeton gjithmonë mes dy botëve, asaj që mendon se kontrollon dhe asaj që e kontrollon pa u dukur. Dhe pikërisht në këtë hapësirë tensioni, mes arsyes dhe pavetëdijes, formësohet personaliteti njerëzor.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit