Në një epokë kur Europa po përpiqej të dilte nga errësira e dogmave absolute dhe e së vërtetës së imponuar, Michel de Montaigne zgjodhi një rrugë të pazakontë, jo predikimin, jo sistemin por dyshimin. Ai nuk ndërtoi filozofi të mbyllura dhe as nuk pretendoi se kishte përgjigje përfundimtare. Përkundrazi, Montenji filloi nga vetja dhe nga përvoja personale . Nëpërmjet pyetjeve të shumta si përfaqësues i skepticizmit modern Montenji hodhi themelet e esesë si formë mendimi. Eseja, në kuptimin e tij, nuk ishte shfaqje erudicioni por ushtrim ndershmërie. Ishte një përpjekje për të menduar me zë të lartë, për të vëzhguar njeriun jo si ideal abstrakt por si qënie konkrete, e papërsosur, e ndryshueshme. Kjo e bën Montenjin jo vetëm babain e esesë, por edhe një nga figurat më njerëzore të Rilindjes. Në qendër të mendimit të tij qëndron njeriu, jo si hero apo shenjtor, por si qenie e kufizuar, e brishtë dhe thellësisht njerëzore. Për Montenjin, fisnikëria nuk lidhet me gjakun, titujt apo pushtetin por me mënyrën se si njeriu sillet me veten dhe me të tjerët. Njeriu i mirë është ai që njeh kufijtë e vet, që nuk e absolutizon mendimin e tij dhe që ruan një ndjenjë mase dhe tolerance. Kjo ide përbën një nga vlerat themelore të Rilindjes, besimin se dinjiteti i njeriut buron nga aftësia për të menduar, për të dyshuar dhe për të reflektuar. Ndryshe nga mesjeta, ku e vërteta ishte e dhënë dhe njeriu duhej vetëm ta pranonte, Rilindja vendos njeriun në qendër të kërkimit të kuptimit. Montenji nuk kërkon të zëvendësojë dogmën fetare me një dogmë tjetër filozofike por ta çlirojë mendjen nga çdo absolutizëm. Fisnikëria, për Montenjin, është edhe një çështje karakteri. Ajo shfaqet në vetëpërmbajtje, në refuzimin e fanatizmit, në aftësinë për të jetuar me kontradiktat e veta pa u bërë i dhunshëm ndaj të tjerëve. Në një kohë të luftërave fetare dhe përçarjeve të thella, ky ishte një qëndrim radikal, të mbrojë tolerancën jo si dobësi, por si shenjë force morale. Montenji e sheh edukimin jo si grumbullim njohurish, por si formim të karakterit. Ai i druhet mendjes së mbushur me fakte, por bosh në gjykim. Për të, njeriu i ditur nuk është ai që citon shumë autorë, por ai që di të mendojë me mendjen e vet dhe të jetojë me dinjitet. Kjo ide pasqyron thelbin e humanizmit rilindas ku dija duhet t’i shërbejë jetës dhe jo ta sundojë atë.Në thelb, Montenji nuk na mëson si të jemi të përsosur, por si të jemi të ndershëm me veten. Ai nuk idealizon njeriun, por e pranon ashtu siç është, me dobësitë, frikërat dhe kontradiktat e tij dhe pikërisht në këtë pranim ai sheh fisnikërinë e vërtetë.Vlerat që Montenji mishëron , dyshimi i arsyeshëm, toleranca, masa, reflektimi dhe respekti për dinjitetin njerëzor janë gurë themeli të Rilindjes dhe mbeten thellësisht aktuale edhe sot. Në një botë që shpesh kërkon përgjigje të shpejta dhe bindje absolute, Montenji na kujton se njeriu i mirë dhe fisnik nuk është ai që ka gjithmonë të drejtë, por ai që di të dyshojë pa humbur vetveten.
