Sa herë që reshjet bien më fort se zakonisht, ne flasim për “inatin e natyrës”. Por natyra nuk hakmerret pa arsye. Ajo reagon. Reagon ndaj ndërhyrjeve tona, ndaj harresës sonë dhe ndaj një indiference të gjatë që, vit pas viti, ka ndërtuar terrenin e katastrofës së radhës. Përmbytjet e fundit nuk janë thjesht pamje uji mbi rrugë dhe shtëpi të rrethuara nga balta por histori familjesh që u zgjuan në errësirë për të shpëtuar çfarë mundën, fermerësh që panë mundin e një viti të zhdukej brenda orësh dhe fëmijësh që mësuan herët se pasiguria mund të vijë edhe nga shiu. Uji hyri në shtëpi, por bashkë me të hyri edhe frika, ajo frikë që mbetet edhe kur moti përmirësohet. Në çdo përmbytje, fajin e ndajmë mes reshjeve dhe fatit. Rrallë pyesim veten pse lumenjtë dalin kaq lehtë nga shtrati, pse kanalet janë të bllokuara, pse ndërtohet aty ku uji ka kaluar gjithmonë. “Inati i natyrës” është në të vërtetë, pasqyra e gabimeve tona, plane urbane të mangëta, mungesë investimesh në mbrojtje dhe një kulturë reagimi që fillon vetëm kur dëmi ka ndodhur. Ky nuk është vetëm një problem sezonal, por një çështje përgjegjësie kolektive. Autoritetet kanë detyrimin të planifikojnë, të parandalojnë dhe të investojnë dhe jo vetëm të numërojnë dëmet pas çdo shiu. Por edhe ne, si shoqëri, kemi një rol, të mos normalizojmë përmbytjet, të mos i quajmë “të zakonshme”, të mos pranojmë që çdo vit dikush të humbasë shtëpinë, tokën apo sigurinë. Dhe ky është një apel për të dëgjuar përpara se të jetë vonë. Natyra flet qartë edhe pse pa fjalë. Çdo përmbytje është një paralajmërim i përsëritur dhe nëse vazhdojmë ta sfidojmë ekuilibrin, pasojat do të jenë gjithnjë e më të rënda. Nuk na duhet të presim “inatin” e radhës për të vepruar por vullnet, përgjegjësi dhe veprim sot, që nesër shiu të mos jetë më kërcënim por thjesht shi.
