Odisea,udhëtimi që nuk mbaron kurrë

Ndaje

Ka histori që nuk plaken. Ato ndryshojnë vetëm mënyrën se si ne i lexojmë. Odisea e Homerit, e shkruar në shekullin e shtatë p.e.s., është një prej tyre, një rrëfim që flet për udhëtime të largëta por edhe për plagë të brendshme që nuk shërohen lehtë. Në sipërfaqe, është historia e Odiseut që përpiqet të kthehet në shtëpi pas Luftës së Trojës por nën dallgët e aventurave, përbindëshave dhe perëndive kapriçoze, fshihet një temë shumë më njerëzore,humbja e kohës, e qetësisë dhe e vetvetes. Çdo ishull ku ndalet Odiseu është një tundim për të harruar kush është, për të qëndruar, për të mos u kthyer më. Dhe pikërisht aty qëndron dhimbja e rrëfimit, kthimi nuk është vetëm një udhëtim fizik, por një betejë e vazhdueshme për të mos humbur identitetin. Odisea është një vepër e ndjeshme sepse flet edhe për ata që presin. Penelopa, e mbetur mes shpresës dhe dorëzimit, përfaqëson pritjen që gërryen ngadalë por nuk shkatërron. Ajo është ana tjetër e udhëtimit,jo ajo që endet nëpër dete, por ajo që mbetet e palëvizur, duke luftuar kohën me durim. Homeri nuk na ofron një hero të përsosur. Odiseu gabon, vonohet, mashtrohet dhe mashtron. Ai është i zgjuar por edhe i lodhur. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye historia e tij vazhdon të na prekë. Sepse secili prej nesh, në mënyrën e vet, ka një Itakë për t’u kthyer, një shtëpi reale ose simbolike dhe një udhëtim të mbushur me humbje, devijime dhe shpresa të brishta. Pas mijëra vitesh, Odisea nuk është më thjesht një epope e lashtë por një pasqyrë e ndjeshme e njeriut në kërkim të vetes, duke na kujtuar se rruga drejt shtëpisë është shpesh më e gjatë dhe më e dhimbshme sesa e imagjinojmë, por gjithmonë e domosdoshme.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit