Alarmi i heshtur i kurrikulës shkollore

Ndaje

Lajmi dje në Top Channel për ndryshimin e kurrikulave shkollore nga klasa e parë deri në të gjashtën dhe më pas në vitin e parë të gjimnazit, ku në lëndën e qytetarisë parashikohet shtimi i temave mbi edukimin gjinor, diskriminimin gjinor, edukimi mbi trafikimin e qënieve njerëzore, edukimin mbi abuzimin seksual, më bëri të ndaloj dhe të ndiej një alarm që nuk mund të injorohet. Në pamje të parë, tingëllon “progresive”, “moderne”, “në hap me kohën” por kur progresi përdoret si urdhër dhe jo si mendim kritik, ai pushon së qeni zhvillim dhe bëhet manipulim. Unë kam dhënë për vite me radhë lëndën e qytetarisë dhe e di çfarë mund të përballojë një adoleshent 15-vjeçar, çfarë e ndihmon të rritet si qytetar dhe çfarë thjesht e huton. Programi aktual i qytetarisë është tashmë i ngarkuar me tema themelore, të drejtat dhe detyrimet, demokracia, ligji, shteti, përgjegjësia qytetare, media, edukimi mjedisor dhe konsumator deri tek bashkëjetesa në komunitet. Për një gjimnazist, këto janë të mjaftueshme dhe kërkojnë kohë, maturi dhe dialog të kujdesshëm. Atëherë lind pyetja e pashmangshme se përse duhet të shtohen domosdoshmërisht temat e identiteteve, abuzimit seksual, trafikimit të qënieve njerëzore dhe edukimit gjinor në një lëndë ku nxënësi nuk ka pjekurinë psikologjike dhe teorike për të kuptuar thelbin? Përse duhet të zhvendosen aty, kur sociologjia me zgjedhje i trajton këto tema në maturë, në mënyrë të thelluar dhe me mësues të përgatitur për diskutim kritik? A është kjo pedagogji apo ideologji e fshehur nën petkun e “progresit”? Edukimi gjinor nuk mund të trajtohet si kapitull i thjeshtë, pa dialog të thellë, pa respekt për zhvillimin e nxënësve. Kjo për mua nuk është arsimimi i qytetarit por një eksperiment social mbi të rinjtë. Paradoksi është i dhimbshëm sepse në lëndën e qytetarisë mungon kapitulli mbi familjen.
Po, familja, qeliza e parë e shoqërisë, hapësira ku formohen vlerat, përgjegjësia, solidariteti. Mungon trajtimi i shoqërizimit, i komunitetit, i marrëdhënieve reale mes individit dhe shoqërisë. Si mund të flasim për qytetari pa folur për familjen? Si mund të flasim për shoqëri pa shpjeguar se si formohet ajo? Një kurrikul që flet shumë për identitet por pak për familjen, që flet për të drejta por harron përgjegjësitë, që nxit ndjeshmëri selektive por lë boshllëqe të rrezikshme në formimin qytetar, ky nuk është progres, ky është obskurantizëm modern , një përpjekje për të vendosur ideologji mbi arsimin e vërtetë. Dua të shtoj se për këto tema kaq të ndjeshme ekziston tashmë një program i caktuar i psikologut të shkollës, ku kryhen komunikime dhe trajnime të vazhdueshme me fëmijët.
Përse duhet, pra, të përfshihen domosdoshmërisht në kurrikul ? Shkolla nuk ka për detyrë të ndjekë çdo valë ideologjike të momentit. Ajo ka për detyrë të formojë njerëz të lirë, të menduar, të përgjegjshëm dhe kjo nuk bëhet duke shtuar kapituj pa kuptim, por duke ndërtuar kuptim. Çdo ndërhyrje në kurrikulë është një akt serioz, që prek mendjen dhe shpirtin e brezave të tërë. Nëse arsimi humb busullën, pasojat nuk duken sot por pas disa vitesh. Dhe atëherë është vonë për të thënë se nuk e dinim. Dhe kjo nuk është risi por rrugë pa kthim.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste e angazhuar në fushën e medias dhe edukimit, me një përvojë të konsoliduar në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative, e orientuar drejt etikës, komunikimit dhe kulturës së informacionit. Gazetare dhe lektore e shkencave sociale ajo ndërthur përvojën mediatike me mësimdhënien, duke ofruar komunikim të qartë dhe analiza të argumentuara. Kontributi i saj shtrihet në forcimin e mendimit qytetar dhe në nxitjen e një kulture të përgjegjshme informimi, të mbështetur në saktësi, etikë dhe reflektim.

Brenda Temës

Të Fundit