Në heshtjen e murtajës. A po jetojmë vërtet apo thjesht po mbijetojmë?

Ndaje

Sot e kujtoj Albert Camy-në jo me zhurmë përvjetori por me qetësinë me të cilën hap një libër të dashur, atë libër që nuk të lodh kurrë sepse çdo herë të flet ndryshe. “ Murtaja”, qëndron para meje si një mik i vjetër,nuk më premton se gjithçka do të shkojë mirë por ama më siguron se nuk jam vetëm në përballjen me botën, dhe sot, në ditën e vdekjes së Camy-së ky libër më duket më i gjallë se kurrë. Camy është i pakrahasueshëm për mua, sepse nuk përpiqet të të qetësojë, nuk e zbukuron dhimbjen, nuk e shndërron vuajtjen në patetizëm të lehtë. Fjalët e tij janë të thjeshta, të ftohta në dukje por godasin thellë, sepse nuk ulërijnë, por të detyrojnë të ulesh e të mendosh. Ai nuk të jep iluzione por të ofron ndershmëri dhe kjo, sot, është një akt i rrallë. Kur e lexoj Murtajën sot, Orani nuk më duket një qytet i largët. Ai është këtu, rreth meje, në mënyrën si njerëzit mësohen të durojnë, të presin, të heshtin. Murtaja nuk vjen domosdoshmërisht me sëmundje por me frikën për të folur, me kujdesin e tepruar për çdo fjalë, me ndjesinë se e vërteta ka çmim dhe se heshtja është mënyra më e sigurt për të mbijetuar. Kjo është tragjedia e njeriut të sotëm , jo vetëm vuajtja por dhe normalizimi i saj. Edhe sot, ashtu si tek Camy, murtaja nuk pranohet menjëherë. Fillimisht thuhet se është kalimtare, se “do të rregullohet”, se nuk ia vlen të trazosh ujërat dhe kështu, njeriu mësohet të jetojë me padrejtësinë si me një sëmundje kronike. Frika për të folur bëhet zakon, heshtja shndërrohet në instinkt dhe pak nga pak, njeriu nuk e kupton më se kur filloi të jetojë me gjysmë zëri. Varfëria që shoh sot nuk është vetëm mungesë parash por varfëri shprese, varfëri horizonti, varfëri zgjedhjeje. Është ndjesia se përpjekja nuk shpërblehet, se ndershmëria lodh më shumë se mashtrimi, se dinjiteti është luks. Kjo varfëri nuk ulërin por gërryen ngadalë, si murtaja e Camy-s duke i mësuar njerëzit të pranojnë gjithçka, për sa kohë që mbijetojnë. Dhe pikërisht këtu, në këtë lodhje të heshtur, më rikthehet pyetja që Camy-ja e quajti të vetmen serioze në filozofi.
A ja vlen jeta të jetohet kështu?
A ia vlen një jetë e jetuar në frikë për të folur, në varfëri që të mpin ëndrrat, në heshtje që të gërryen nga brenda edhe kur frymon ende? Do kujtoj këtu edhe librin tjetër, Mitin e Sizifit, ku Camy- ja nuk na lejon të arratisemi nga kjo pyetje. Ai na kërkon ta shohim absurditetin drejt e në sy. Ashtu si Sizifi që e shtyn gurin çdo ditë, edhe njeriu sot e shtyn jetën përpara me një lodhje të ngjashme, duke e ditur se nesër do të fillojë sërish nga e para. Por Camy-ja nuk pyet përse guri është i rëndë, përkundrazi ai pyet çfarë bëjmë ne ndërsa e shtyjmë atë. Dhe përgjigjja e tij është revoltë e qetë ku jeta ja vlen jo sepse është e drejtë, por sepse ne refuzojmë të bëhemi pjesë e së keqes. Ja vlen nëse, edhe në një botë të mbushur me murtajën e frikës, varfërisë dhe indiferencës, zgjedhim të mos humbasim ndjeshmërinë, të mos e shesim ndërgjegjen për qetësi dhe mbi të gjitha të mos e pranojmë heshtjen si fat. Ndërsa doktor Rieux sot do të ishte ai njeri i zakonshëm që vazhdon të bëjë punën e tij me ndershmëri, edhe kur sistemi e lodh, edhe kur përpjekja duket e kotë. Ai nuk do të predikonte, nuk do të kërkonte duartrokitje por thjesht nuk do të pajtohej me të keqen dhe kjo, për Camy-në është forma më e lartë e humanizmit. Sot, në ditën e vdekjes së Albert Camus, e kuptoj se ai nuk la shpresë të lehtë, por la diçka më të fortë, përgjegjësinë për të jetuar me sy hapur. Murtaja do të kthehet gjithmonë, në forma të ndryshme dhe pyetja nuk është nëse do të vijë, por nëse ne do të kemi guximin të jetojmë pa u bërë pjesë e saj. Dhe në heshtjen e murtajës, ndër librat e tij që më mbajnë zgjuar, kuptoj një gjë.
Po, jeta ia vlen, por vetëm jeta që guxon të ndajë dhimbjen, ndershmërinë dhe revoltën e heshtur me botën.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit