Në lulishten me palma përballë shtëpisë sime, prej disa ditësh ka mbërritur një drer vezullues. Një banor i ri, i heshtur, që me dritën e tij duket sikur na përshëndet e na uron mirëseardhjen e vitit të ri, ne, banorëve të vjetër të kësaj lagjeje të vogël e historike. Nuk është asgjë krahasuar me lagje të tjera që ndriçojnë më fort në këto ditë festive por prania e tij e thjeshtë mjafton për të na kënaqur dhe për të sjellë një ndjenjë të ngrohtë, thuajse magjike. Ky drer i ndriçuar më sjell ndër mend drerin e bardhë të legjendave, atë që shfaqet në pyjet e largëta, aty ku drita e diellit luan me hijet e pemëve dhe aroma e tokës së lagur mbush ajrin. I rrallë, i bukur dhe misterioz, ai duket si një shpërthim drite mes errësirës. Ata që kanë pasur fatin ta shohin thonë se sytë e tij nuk janë thjesht të bardhë, por pasqyrojnë ëndrrat dhe dëshirat e fshehura të atij që e vështron. Thuhet se dreri i bardhë sjell fat por jo në mënyrën që zakonisht e imagjinojmë. Nuk është një ngjarje e papritur apo një dhuratë që bie nga qielli. Fati që ai sjell është më i qetë, më i brishtë por edhe më i qëndrueshëm, qetësia që vendoset në zemër, shpresa që lind kur mendon se gjithçka është e humbur, guximi për të vazhduar përpara edhe kur rruga duket e errët. Dikush mund të mos besojë ndoshta ta quajë thjesht një mit apo një histori të bukur për t’i dhënë kuptim botës. Por ata që e kanë parë ose që janë ndalur për një çast përballë dritës së tij, ndjejnë diçka të vështirë për t’u shpjeguar,një energji të butë që përshkon ajrin, pemët, dhe më pas vendoset brenda nesh. Dreri i bardhë nuk e sjell fatin nga jashtë, ai zgjon atë që fshihet brenda. Është i heshtur por gjithmonë i pranishëm. Shfaqet pa u lajmëruar dhe largohet pa lënë gjurmë duke na kujtuar se çdo çast ka bukurinë dhe forcën e vet. Ai na mëson të shohim më vëmendshëm, të ndiejmë më thellë dhe të besojmë se fati, ndonjëherë, është thjesht guximi për të parë dritën edhe në gjërat më të vogla. Dhe kur largohemi, qoftë nga pylli i legjendave apo nga lulishtja e lagjes sonë dhe na mbetet në mendje ai vezullim i bardhë, kuptojmë se dreri i bardhë nuk ishte vetëm një figurë apo një zbukurim festiv por një kujtesë e ëmbël se mrekullia ekziston dhe se shpesh shfaqet pikërisht aty ku zemra zgjedh të hapet dhe të besojë.
