Kur mësova të vlerësoj gjërat e vogla, zemra ime filloi të ndihej e plotë. Ndaj sot dua të shkruaj për mirënjohjen.Jo për atë që shprehim thjesht për formalitet por për atë ndjesinë e thellë, që të mbush shpirtin dhe të ngroh zemrën, kur e vërejmë momentin e vogël që shpesh kalon pa u vënë re. Shumë herë harrojmë t’i japim vlerë gjërave që nuk bëjnë zhurmë, një buzëqeshje që na përqafon nga një mik në momentin më të vështirë, aroma e bukës së ngrohtë që mbush dhomën në mëngjes, tingulli i qetë i shiut që bie mbi dritaren tonë. Psikologët e quajnë këtë “vëmendje mirënjohjeje” , aftësia për të ndjerë mirënjohje për momentet e heshtura dhe të përditshme që shpesh i neglizhojmë. Ato janë ato pika të vogla dritash që na mbajnë gjallë dhe sot në vecanti ndjeva mirënjohje për diellin që depërtonte mbi tavolinën time, për librat që më shoqërojnë pa u lodhur kurrë, për një fjalë të ngrohtë që nuk e prisja. Sot një grua që mbante fëmijën e saj dorë për dore në rrugë më kujtoi se dashuria e përditshme, pa bujë, është ajo që mbush botën me kuptim. Dhe ndërsa i vija re këto momente, zemra ime dridhej nga një ngrohtësi që nuk mund ta përshkruaj vetëm me fjalë. Mirënjohja nuk është të mos kesh dhimbje, sfida apo humbje por të shohësh dritën edhe kur errësira duket e gjatë, të ndjesh mbështetjen kur je vetëm, të vlerësosh çfarë ke kur gjithçka duket e vështirë. Si kur të tremb një provim, por pastaj kupton se çdo përpjekje të ka bërë më të fortë.Si kur ke një ditë të vështirë, por një buzëqeshje e rastësishme e të rikthen besimin tek njerëzia. Dhe tani, kur shkruaj këto rreshta, kuptoj se mirënjohja është zgjedhje, një akt dashurie për vetveten dhe për botën që na rrethon. Çdo falënderim, edhe i heshtur, është një ngrohje për zemrën, një dritë e vogël që shpërndan paqe dhe lumturi. Ndaj sot dua të falënderoj gjithçka, librat që më mbajnë shoqëri, njerëzit që më duan dhe që nuk e dinë sa shumë ndikojnë, momentet e heshtura të qetësisë dhe vetveten që vendos të shohë bukurinë edhe në gjërat më të vogla. Sepse çdo falënderim është një hap drejt një bote më të ngrohtë, më të butë dhe më njerëzore. Deri në letrën tjetër, Unë….
