Sot dua të shkruaj për shpresën. Por jo për atë shpresë të zhurmshme, që premton gjithçka menjëherë, por atë të heshturën, të butën, që rritet brenda teje edhe kur gjithçka duket e errët. Ka ditë kur gjithçka duket e paqartë, kur rruga para teje ngjan e gjatë dhe e vetmuar dhe zëri brenda teje thotë: “Nuk do ia dalësh.”Në ato ditë, shpresa nuk është një dritë e madhe por një fije e hollë, një pulsim i butë në zemër, një mendim që thotë: “Mëso të presësh. Mëso të besosh.” Psikologët thonë se shpresa është aftësia për të parë një të ardhme të mundshme, edhe kur e tashmja është e vështirë. Nuk është vetëm dëshirë, nuk është vetëm optimizëm por aftësia për të mbajtur një vizion të brendshëm që mund të të udhëheqë.Është një forcë që nuk ka zhurmë, por që të mban në këmbë.
Kur kthehem pas në ditët kur frika më ndalonte dhe kur lodhja më bënte të mos lexoj, kuptoj se gjithçka që kam mbajtur në heshtje, guximin, ëndrrat, përpjekjet e vogla, ka ushqyer shpresën time.Shpresa nuk lind nga ajo që fiton menjëherë, por nga mënyra se si zgjedh të ecësh edhe kur rruga duket e vështirë. Sot, ndiej se shpresa nuk është diçka që pret në horizont.Ajo rritet brenda teje, në vendet ku askush nuk sheh, në vendet ku heshtja duket më e gjatë se çdo gjë tjetër. Ajo rritet nga librat që lexon, nga mendimet që përtyp, nga heshtja që të mëson të kuptosh veten dhe botën rreth teje. Në heshtje, pas frikës, pas lodhjes dhe zhgënjimeve, shpresa ngrihet si dielli që ngadalë depërton përmes reve të errëta. Dhe kjo është e mrekullueshme, sepse sa më e gjatë të duket errësira, aq më e fortë dhe më e ndritshme bëhet shpresa kur shfaqet. Deri në letrën tjetër, Unë…
Ndaje
