Një letër për zemrën tënde.

Ndaje

Ndalo për një çast, merr frymë thellë dhe përpiqu të ndjesh çdo frymëmarrje që hyn dhe del nga mushkëritë e tua, sepse në këtë botë që vrapon pareshtur, ku çdo ditë duket sikur shkon e humbet ndërmjet nxitimeve, detyrave, zhurmës dhe presionit të pafund, shpesh harrojmë të ndalemi dhe të shohim më të thjeshtën, ato gjëra që janë gjithmonë aty, por që rrallëherë i vëmë re, gjëra që nuk mund të blihen me para, që nuk mund t’i krijojë askush tjetër, por që i kemi dhuratë vetë nga jeta, sytë, duart, zemra, trupi, shpirti dhe çdo frymë që kemi marrë në këtë botë. Shiko trupin tënd dhe ndjeje fuqinë e tij, sepse ai është një mrekulli e heshtur që të mundëson të përjetosh çdo moment të jetës, të prekësh botën, të krijosh dhe të përqafosh, ke sy që të japin ngjyrat e qiellit që ndryshon çdo mëngjes, detet që shtrihen pafund dhe fytyrat që të buzëqeshin dhe të mbushin shpirtin me gëzim, ke veshë që ndiejnë tingujt më të bukur të botës, zërin e dikujt që të do, tingullin e shiut që bie mbi dritare, muzikën që të drithëron shpirtin dhe të çliron njëkohësisht,duar që mund të ndërtojnë ëndrra, të japin ngrohtësi dhe të përqafojnë, këmbë që të çojnë aty ku zemra të udhëheq dhe ku dëshira jote për të jetuar është më e fortë se çdo pengesë që mund të dalë përpara. Shiko gjithçka që të rrethon, sepse edhe gjërat më të vogla që shpesh i marrim të mirëqëna janë në të vërtetë bekime të mëdha, një tavolinë e përgatitur me ushqim të thjeshtë por të shijshëm, aroma e kafesë së mëngjesit që mbush dhomën, rrezet e diellit që depërtojnë ndërmjet perdeve dhe përhapin ngrohtësi mbi lëkurën tënde, të gjitha këto janë dhurata që kanë fuqinë të të mbushin zemrën me kënaqësi por shpesh nuk i shohim. Një ushqim që sot duket i zakonshëm dhe rutinor, dikur ishte luks për njerëzit, madje as mbretërit e lashtë nuk e shijuan larmishmërinë që ne e kemi sot si të përditshme, dhe prandaj, herën tjetër që ulesh për një vakt ose hap frigoriferin, ndalo për një moment, ndjeje aromën, shijen dhe thuaj me gjithë zemër: “Faleminderit.” Shiko dijen që ke marrë, sepse ajo është një thesar që ndriçon rrugën tënde dhe të hap horizonte të pafundme dhe mendimi se ka njerëz që kanë jetuar në errësirë, pa mundësinë të lexojnë, të shkruajnë ose të shprehin mendimet e tyre, duhet të na mbushë me një ndjenjë pafund mirënjohjeje dhe respekti për mundësitë që kemi sot, ti ke libra, mësues, shkolla, internet, dritë për mendjen dhe rrugë të hapura që të mundësojnë të ndryshosh jetën tënde dhe të tjerëve dhe kjo është një dhuratë që nuk mund të matet me asgjë tjetër. Shiko kujdesin mjekësor që të rrethon, sepse ajo është një dhuratë që shpesh e marrim të mirëqenë, një temperaturë e lehtë, një dhimbje e vogël, një infeksion që sot mund të trajtohet me një vizitë të shkurtër ose një ilaç të thjeshtë, dikur merrnin jetë njerëzish që nuk dinin çfarë do të thoshte shërimi, dhe për breza të tërë, kjo ishte një fatkeqësi e pashmangshme,por sot, ti jeton në një kohë ku shërimi është afër, ku ndihma mjekësore është pranë, ku kujdesi është i qasshëm, dhe kjo është një dhuratë e madhe që duhet të falenderosh çdo ditë. Shiko mënyrën si komunikon sot, sepse ajo është një mrekulli që shpesh e marrim të mirëqenë,një mesazh, një telefonatë, një video dhe personi që do është aty, edhe nëse ndodhet qindra kilometra larg, dhe ky afrim i zemrave nuk është thjesht një komoditet, por një dhuratë që i jep jetës tonë ngrohtësi, lidhje dhe kuptim, duke bërë që ndonjëherë të harrojmë se sa e bukur dhe e veçantë është kjo mundësi që jeta na ka dhënë. Shiko transportin që ke në dispozicion, sepse një udhëtim që dikur kërkonte javë, sot kërkon vetëm orë, makinat, autobusat, trenat dhe avionët të mundësojnë të arrish tek njerëzit që do, të shijosh vende të reja, të përjetosh dhe të jetosh, dhe çdo moment që shpenzohet në lëvizje është një mundësi për të ndjerë botën, për të parë fytyrat, për të marrë frymë dhe për të qenë pjesë e asaj që quhet jetë, një dhuratë që shpesh e harrojmë kur ankoheshim për vonesat apo trafikun. Shiko paqen rreth teje, sepse ajo është një thesar i çmuar që shumë njerëz në botë nuk e shijojnë kurrë,fëmijë që rriten mes frikës dhe pasigurisë, njerëz që nuk e dinë nëse dita tjetër sjell shpresë apo humbje, dhe ti që sot zgjohet pa dëgjuar sirena lufte, pa u fshehur, pa frikë për jetën, je më i pasur se miliona njerëz. Paqja nuk është gjë e vogël, ajo është një dhuratë e madhe që duhet të vlerësohet çdo ditë. Shiko njerëzit që ke pranë, një përqafim, një buzëqeshje, një “Si je?” që të ndihmon të ndihesh i dashur, i vlerësuar dhe i kuptuar, kjo është dashuria që nuk blihet me asgjë, që nuk mund të zëvendësohet, dhe që duhet të vlerësohet dhe të falenderohet çdo ditë, sepse jeta është shumë e shkurtër dhe nuk duhet të humbasim asnjë moment me ata që duam. Dhe mbi të gjitha, shiko jetën tënde, ajo nuk është pronë, nuk kontrollohet, nuk blihet dhe nuk përsëritet, por mund të ndjehet, të falenderohet dhe të jetohet në çdo frymë, çdo emocion dhe çdo ndjesi që të dhuron,ka forcë, dritë dhe mirësi që na kanë mbrojtur, që na kanë dhënë mundësi të jetojmë, të rritemi dhe të ndryshojmë çdo ditë. Ndalo sot dhe merr frymë thellë dhe thuaj nga zemra:
“Faleminderit për gjithçka që kam. Faleminderit për gjithçka që jam.” Mirënjohja nuk ndryshon gjithçka që ke, ajo ndryshon si ti e sheh botën, si ti ndjen çdo moment dhe si ti jeton jetën. Njeriu mirënjohës nuk është ai që ka gjithçka, por ai që e vlerëson gjithçka që ka dhe që është.
Bëhu i tillë, mirënjohës. Bëhu dritë!

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit