Dje, nuk kisha forcë të lexoja,asnjë faqe nuk më tërhiqte, asnjë fjali nuk më jepte frymëzim sepse nuk ishte mungesë e dëshirës për të mësuar, por një peshë tjetër që më shtypte,njerëzit.Dje u mërzita shumë nga ata që, kur shohin shkëlqimin tënd, bëhen të ligj apo thjesht të ftohtë.Nuk flas për armiqësi të hapur, por për atë ftohtësinë që vjen nga zilia, nga frika, nga mospranimi.
Është ajo dhimbja që nuk të lëndon fizikisht, por të rrënon ngadalë nga brenda dhe kur ndodh kjo, ndihesh bosh. Nuk ka fjalë, nuk ka libër që të shpëton por vetëm heshtje, vetëm tërheqje brenda vetes. Sot e kuptova se nuk mund të kontrolloj mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj dritës sime.Nuk mund t’i ndaloj ata që përpiqen ta errësojnë.Por mund të zgjedh të mos më prekin.
Të mos më vrasin dëshirën për të lexuar, për të ëndërruar, për të ndjerë.Ka ditë kur librat nuk të flasin, kur fjalët duket se janë thjesht letra të bardha, kur mendja dhe zemra kanë nevojë për heshtje më shumë se për njohuri.
Dhe kjo është normale. Nuk është dështim. Nuk është mungesë e forcës por thjesht një ditë e ndjerë e njeriut që ka vuajtur nga egërsia e botës. Dhe këtu kuptova një gjë, ndonjëherë, të mos lexosh është po aq e rëndësishme sa të lexosh.
Sepse mëson të mbrosh energjinë tënde. Mëson të dallosh se cilët njerëz dhe cilat gjëra ia vlejnë të ndjekësh.
Mëson se ndonjëherë duhet të rrish larg, të heshtësh, të rikuperosh shpirtin para se të kthesh faqen tjetër.
Sot nuk kam hapur asnjë faqe libri por ama kam shkruar këtë letër. Dhe ndoshta është më e rëndësishme se çdo faqe e lexuar. Sepse çdo fjalë e shkruar është një përpjekje për të mbajtur veten të gjallë, të pastër, të gatshëm për dritën dhe dijen që do të vijë nesër. Dhe unë e di, nesër do të kthehem te librat. Do të kthehem te faqet, te fjalët që më mësojnë, që më ngushëllojnë, që më zgjojnë.Por sot vetëm, le të jetë kështu. Le të jetë ditë heshtjeje dhe mbrojtjeje.
Deri nesër, Unë…
