Berti, qetësia që lë gjurmë

Ndaje

E njoh Bertin prej vitesh dhe sa herë mendoj për të, më vjen në mendje një qetësi e veçantë, një prani që nuk ka nevojë të flasë shumë për t’u ndjerë. Berti është prej atyre njerëzve që të fitojnë me thjeshtësi, me mirësinë e heshtur dhe me ndershmërinë që e mban si pjesë të natyrshme të karakterit të tij. Ka një mënyrë të butë për të qenë aty për të tjerët, jo me zhurmë, jo me fjalë të mëdha por me veprime të vogla që vlejnë shumë. Di të dëgjojë me vëmendje të vërtetë, të mbështesë pa e tepruar dhe të sjellë një ndjenjë sigurie që rrallë e gjen tek njerëzit. Pa e vënë re, ai të jep ndjesinë se nuk je vetëm. Çdo ndërveprim me të, qoftë në një moment pune apo një bisedë të rastësishme, lë një përshtypje të thellë. Ai i qëndron besnik asaj që beson, punon me përkushtim dhe mendon me zemër. Mirësia e tij nuk shpallet me fjalë por ndjehet menjëherë nga ata që e rrethojnë. Më kujtohet muaj më parë, kur profesore Aurela Saliaj, rektorja e universitetit, më komunikoi për organizimin e ceremonisë “Nderi i Universitetit për Bertin”. Ishte një kënaqësi e veçantë të kontribuoja në këtë event, të ndihmoja që çdo detaj të pasqyronte plotësisht rëndësinë e punës dhe karakterit të tij. Ishte një mundësi për të parë nga afër atë që të gjithë e kishin vënë re prej kohësh, mënyrën se si Berti bashkon respektin, qetësinë dhe profesionalizmin në çdo hap të tij. Dhe dje, atmosfera në Bibliotekën Universitare ishte e ngrohtë dhe plot respekt. Kolegë, bashkëpunëtorë miq, të afërm dhe studentë dhe gazetarë u mblodhën për të nderuar një figurë që kishte lënë gjurmë të pakapërcyeshme në jetën akademike dhe kulturore të universitetit. Gjithcka në një nuancë të ngrohtë dhe të përzemërt, duke bërë secilin të ndihej pjesë e këtij nderimi. Çdo detaj i ceremonisë, nga fjalët e thëna, buzëqeshjet e ndara deri te heshtja e vëmendshme e të pranishmëve reflektonte respektin dhe admirimin që njerëzit ndjejnë për Bertin. Ajo që mbetet pas kësaj ceremonie nuk janë vetëm titujt apo fjalimet, por ndjesia që lë një njeri i vërtetë, një njeri që i qëndron besnik asaj që beson, punon me përkushtim dhe mendon me zemër. Ai tregon se ndikimi më i madh nuk matet me madhësinë e fjalëve por me thjeshtësinë e veprimeve, me qetësinë që transmeton dhe me gjurmët e qëndrueshme që lë tek të tjerët. Berti nuk është thjesht një koleg apo një figurë akademike. Ai është shembulli i qetësisë, i integritetit dhe i humanizmit që çdo komunitet ka nevojë të mbajë gjallë dhe kjo, më shumë se çdo titull apo vlerësim, e bën të paharrueshëm Ajo që e bën Bertin të veçantë është fakti që kujtimet me të nuk zbehen, përkundrazi, ndriçojnë me kalimin e kohës. Dhe teksa po kërkoja në arkivin e fotografive dhe fatkeqësisht nuk po gjeja asgjë, mikja jonë e përbashkët Lona, si gjithmonë ruajtëse e përkushtuar e çdo gjëje të vyer në arkivën historike të Universitetit, më dërgoi një foto nga mbrëmja festive e ndërrimit të viteve 2023.Një imazh i thjeshtë, por që më rrëmbeu menjëherë, sepse më risolli atmosferën e asaj nate plot dritë, qetësi dhe bashkëndarje. Sa çudi ka koha. Një fotografi mund të të ndalë përpara vetes, të të prekë në shpirt dhe të të kujtojë sa shumë kemi kaluar së bashku , momentet e punës, bisedat, të qeshurat e lehta, gjërat që në çast duken të zakonshme, por që më vonë kuptojmë se kanë qenë të çmuara. Në këtë foto, ashtu si në shumë momente të tjera, Berti është vetvetja, i qetë, i thjeshtë, i pranishëm në mënyrën më njerëzore dhe buzëqrshur plot mirësi. Dhe pikërisht kjo më bëri të kuptoj edhe një herë se pse ai lë gjurmë , jo me madhështinë e gjesteve por me pastërtinë e pranisë së tij. Kujtimet me njerëz si ai nuk janë thjesht fotografi. Janë dritare të vogla që na kujtojnë se bukuria e jetës qëndron në njerëzit që ditën të jenë pranë nesh, pa zhurmë, pa pretendime, por me gjithë zemër.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit