Fjalia që ndryshoi gjithçka

Ndaje

Në historinë e njerëzimit, ka figura që nuk maten me fronin që mbajnë, me pasurinë që grumbullojnë apo me titujt që mbartin. Ka njerëz që bëhen të pavdekshëm vetëm për një arsye, përmes jetës së tyre tregojnë se çfarë do të thotë të jesh i drejtë, i guximshëm dhe i përkushtuar për të mirën e të tjerëve. Një prej këtyre figurave është Ioannis Kapodistrias, një burrë shteti i rrallë, diplomat i shquar dhe humanist, Kryeministri i parë i Greqisë moderne. Ai nuk e filloi rrugën e tij duke kërkuar pushtet. Nuk e mati suksesin me pasuri apo privilegje. Ai e mati me buzëqeshjen e një fëmije, me ngrohtësinë që sjell drejtësia dhe me sakrificën që bën për popullin e vet. Fjalia që do të mbetet përgjithmonë një testament morali i tij është thjeshtë e thjeshtë, por e thellë. “Do ta përmirësoj ushqimin tim vetëm kur të jem i sigurt se nuk ka as edhe një fëmijë grek që të vuajë nga uria.” Kjo nuk ishte vetëm një përgjigje ndaj një këshille mjekësore por një betim, një premtim i heshtur se komoditeti personal nuk kishte kurrfarë vlerë përpara vuajtjes së popullit të tij. Kapodhistriasi lindi si aristokrat, por zgjodhi të jetojë në modesti. Ai ishte diplomat që ndihmoi Europën të gjente paqen pas luftërave napoleonike, dhe në kulmin e karrierës së tij ndërkombëtare, la pas privilegjet dhe titujt për t’u kthyer në një Greqi të rrënuar, të shkatërruar nga luftërat dhe kaosi. Ai ndërtoi rendin, shkollat, sistemin e drejtësisë, administratën,gurët themelorë të shtetit modern. Jetonte në një modesti të skajshme, shpesh pa roje apo shërbëtorë, pa të ardhura personale, sepse gjithçka që kishte ia kushtonte vendit. Vishte të njëjtat rroba për vite, ushqehej pak, punonte pa pushim dhe nuk kërkonte asnjë shpërblim. Ai ishte udhëheqësi që tregonte shembullin me jetë dhe jo me fjalë. Fjala e tij, e thënë dikur në një moment të thjeshtë, por të mbushur me humanizëm, shndërrohet në një udhërrëfyes për çdo kohë. Ajo na mëson se një udhëheqës i vërtetë e mat suksesin e vet me mirëqenien e popullit dhe sidomos me buzëqeshjen e një fëmije. Ai e dinte se një komb nuk ndërtohet me dekorata, me fjalime të bukura apo premtime të zbrazëta, por me drejtësi, me përulësi dhe me një zemër që thotë se do të jetoj më mirë se populli im. Në një kohë kur shumë udhëheqës kërkojnë privilegje dhe siguri personale, Kapodhistriasi zgjodhi të ishte shërbëtor i popullit, të rrezikonte jetën për idealet e tij dhe të mos gëzonte rehati derisa çdo fëmijë i Greqisë të kishte ushqim dhe shpresë. Ai nuk jetoi për pushtet, nuk jetoi për historinë, por jetoi për të ardhmen dhe për njerëzit. Figura e tij mbetet e pavdekshme, jo për tituj apo famë, por për shembullin që la sepse drejtësia dhe humanizmi janë themeli i një kombi. Fjalia e tij do të jetojë përgjithmonë, sepse është testament i moralit, thirrje për përgjegjësi dhe kujtesë se udhëheqësi i vërtetë vendos popullin përpara vetes, mban përgjegjësi me zemër dhe lartësohet duke u përulur. Një komb matet nga mënyra se si i trajton më të brishtët e vet, nga mënyra se si sheh tek një fëmijë i uritur jo një statistikë, por një jetë që kërkon shpresë. Dhe ky qëndrim i Kapodistriasit është një kolonë drite për të gjithë ne. Të kujtojë se pushteti nuk është privilegj por barrë, dhe se nderi i një udhëheqësi nuk matet me lartësinë e fronit por me thellësinë e përkushtimit ndaj popullit të vet.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Gazetare, lektore dhe personalitet mediatik, e njohur për qasjen e saj të mprehtë në hapësirën publike. Si kolumniste dhe zë kritik, ajo ndërthur përvojën në media me punën akademike, duke sjellë analiza të thelluara dhe komunikim të qartë. Ajo kontribuon aktivisht në formimin e mendimit qytetar e akademik dhe në promovimin e një kulture të informimit të saktë.

Brenda Temës

Të Fundit