Historia e Pavllovit dhe mrekullia e mësimit të fshehtë nga laboratori deri te Maksi ynë i përditshëm. Ka gjëra që i mësojmë pa u përpjekur fare. Një tingull, një aromë, një shikim dhe papritur trupi ynë reagon sikur di diçka që mendja ende nuk e ka menduar. Kështu funksionon kujtesa e fshehtë, ajo që na mbron, na emocionon dhe na drejton pa e kuptuar. Për ta kuptuar këtë mister, kthehemi më shumë se një shekull pas, te Ivan Pavllovi, njeriu që nuk kërkonte të bënte revolucion në psikologji, por e bëri pa dashje. Ai vuri re diçka të vogël te qentë e tij. Ata fillonin të pështynin jo vetëm kur shihnin ushqimin, por edhe kur dëgjonin hapat e kujdestarit që ua sillte atë sikur trupi i tyre dinte se çfarë do të ndodhte përpara se të ndodhte. Eksperimenti i tij u bë i famshëm, ushqim + zile, përsëritur disa herë. Pastaj vetëm zilja dhe qentë reagonin sikur ushqimi ishte aty. Dhe kështu lindi kushtëzimi klasik, mënyra se si truri mëson përmes lidhjeve të padukshme. Dhe ja ku hyn Maksi, qeni i shtëpisë sonë… Edhe Maksi e bën këtë çdo ditë, edhe pa e ditur që po “bën shkencë”.
Kur dëgjon çelësat tek porta ai fillon të gëzojë, sepse e ka lidhur tingullin me ardhjen tënde. Kur dëgjon zhurmën e qeses së ushqimit, vrapon i lumtur drejt kuzhinës, një “zile” moderne e Pavllovit. Kur sheh atletet që je duke i veshur kërcen me gëzim sepse ka mësuar se ato do të thonë shëtitje. Edhe kur dëgjon aspiratorin, kur është trembur dikur, largohet menjëherë, një “tingull” që i ka sjellë dikur stres dhe tani mjafton vetëm të dëgjohet për ta rikthyer atë ndjenjë. Ashtu si në laboratorin e Pavllovit, edhe në shtëpinë tonë, truri i Maksit krijon lidhje të shpejta. një tingull, një kujtim, një reagim. Një “zile”, në çfarëdo forme të jetë, e paralajmëron për atë që do të ndodhë.
Por e bukura është se kështu mësojmë edhe ne. Ne nuk jemi shumë ndryshe nga Maksi. Edhe ne reagojmë ndaj gjërave që na kujtojnë emocione të vjetra si një aromë që na kthen në fëmijëri.Një tingull që rikthen një frikë të harruar. Një melodi që na mbush me mall ose gëzim. Një vend që shmangim, vetëm pse lidhet me një kujtim të hidhur. E pra, kushtëzimi klasik është mënyra e trurit për të na treguar se çdo përvojë lë gjurmë ashtu si Maksi që gëzohet kur dëgjon zhurmën e qeses së ushqimit, ne gëzohemi apo frikësohemi para se të kuptojmë edhe vetë pse. Ndaj Maksi dhe Pavllovi na mësojnë të njëjtën gjë. Truri ynë mëson vazhdimisht, në heshtje, përmes detajeve të vogla që i japin formë ditës dhe jetës sonë. Një zile në një laborator rus mund të ketë ndryshuar botën, por çdo ditë, në mënyrën e vet, çdo zhurmë, çdo aromë, çdo shenjë e vogël ndryshon botën e Maksit dhe tonën. Kështu që historia e Pavllovit nuk është vetëm histori shkencore por një kujtesë, se brenda nesh dhe te Maksi, jeton një mekanizëm i ndjeshëm, që mëson pa fjalë dhe ruan çdo emocion, çdo frikë, çdo gëzim. Sepse, pavarësisht sa shumë ndryshon bota, truri ynë ende reagon ndaj ziles.
Ndaje
