Pyetja që m’u drejtua sot dhe ndoshta, pa e kuptuar, më bëri të ndalem pak. Por nuk ishte thjesht një kuriozitet apo një shifër mbi letër. Jo. Çdo brez ka aromën e vet, ritmin e vet, mënyrën se si ndjen botën dhe percepton jetën dhe pyetja “ Në cilën gjeneratë bën pjesë?” është një reflektim mbi atë që jemi, mbi mënyrën se si përjetojmë çdo ditë dhe mbi gjurmët që dëshirojmë të lëmë pas. Gjenerata X, ata që lindën midis viteve 1965 dhe 1980-të ku bëj pjesë dhe unë, njohën një botë pa internet, ku letra dhe telefonat klasikë ishin mjetet e komunikimit. Ata mësuan të presin, të kuptojnë përpjekjen dhe të respektojnë kohën. Ky brez është realist, i pavarur dhe shpesh i rezervuar, por i fuqishëm në menaxhimin e sfidave që jeta sjell. Ata janë ura mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes traditës dhe inovacionit. Gjenerata Y, e njohur si millennialët, lindur midis viteve 1980 dhe 1995-së janë brezi i ëndrrave dhe ambicies. Ata u rritën në një botë që ndryshonte shpejt, interneti, rrjetet sociale dhe globalizimi transformuan mënyrën si lidhemi me botën dhe njëri-tjetrin. Brezi Y kërkon kuptim, lidhje të sinqerta dhe shpesh sfidon normat e vendosura. Ata janë kreativë, të guximshëm dhe të apasionuar pas ideve që mund të ndryshojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve. Gjenerata Z, nga 1995 deri në vitin 2010 -të, janë brezi i lindur me ekranin përpara syve, ku informacioni përhapet me shpejtësi dhe lidhjet virtuale janë pjesë e përditshmërisë. Ata janë inovativë, të aftë për të mësuar shpejt dhe për të ndërvepruar me botën në mënyra që brezat e mëparshëm nuk i kanë imagjinuar. Por shpesh perceptohen si indiferentë, të distancuar emocionalisht ose të obsesionuar me shpejtësinë, duke harruar ndonjëherë të ndalin dhe të ndiejnë thellësisht. Megjithatë, brezat nuk përcaktohen vetëm nga vitet e lindjes. Ato janë përvojat që mbledhim, emocionet që ndjejmë, mënyra si lidhemi me të tjerët dhe ndikimi që dëshirojmë të lëmë pas. Secili prej nesh është një mozaik,pak nga X, pak nga Y dhe pak nga Z. Ruajmë të kaluarën si mësim, jetojmë të tashmen me pasion dhe krijojmë të ardhmen me shpresë. Pyetja “Në cilën gjeneratë bën pjesë ti?” nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Është një ftesë për të reflektuar mbi veten,mbi vlerat, ëndrrat dhe frikërat tona. Brezat nuk përcaktohen vetëm nga vitet që kalojnë por nga rrugëtimi që ndërtojmë, nga gjurmët që lëmë, nga mënyra si prekim dhe ndjejmë botën përreth nesh. Prandaj, ndoshta përgjigja më e bukur është kjo. Ti bën pjesë aty ku e ndjen me zemër, ku e kupton botën dhe ku e jeton jetën plotësisht. Sepse çdo brez, pavarësisht emrit dhe viteve, është një histori në vazhdim, një rrugëtim që ndërtohet çdo ditë, nga secili prej nesh.
