Në Shqipëri, politika është kthyer në një fjalë që ngjall më shumë mosbesim sesa shpresë. Pyetja që gjithnjë e më shpesh dëgjohet në çdo kafene, në çdo familje e në çdo rrjet social është.A ka mbetur ndonjë ideal në politikë?
Dikur, politika ishte sinonim i përkushtimit, një mision për të ndërtuar shtetin dhe për t’i dhënë vendit drejtim pas dekadave të errëta. Sot, për shumicën e njerëzve, ajo është bërë sinonim i përfitimit personal, i privilegjit dhe i interesit të ngushtë. Në fillim të viteve ’90, politika shqiptare lindi nga ideali,liria, demokracia, drejtësia, shteti i së drejtës. Brezi i parë i tranzicionit besoi se ndryshimi ishte i mundur. Por me kalimin e viteve, idealet u zëvendësuan nga lojërat e pushtetit.Në vend të konkurencës për ide, politika jonë u kthye në garë për poste. Në vend të reformave, morëm retorikë dhe qytetari, që dikur dilte në sheshe me shpresë, sot e ndjek politikën me neveri ose thjesht e injoron. Çdo qeveri ka ardhur me premtime për “ndryshim”, por shumica janë mbyllur me zhgënjim. Një brez i tërë politikanësh nga të majtë e të djathtë kanë konsumuar energjinë publike duke ndërtuar pushtet personal e jo institucione.
Në këtë panoramë, idealet janë tretur si fjalë të bukura që përdoren në fushatë por harrohen në ditën e parë të pushtetit. Në Shqipëri, idealistët janë pak dhe të brishtë. Disa të rinj hyjnë në politikë me qëllime të pastra por sistemi politik i “përtyp” shpejt. Ai nuk i duron njerëzit e ndershëm, sepse janë të paparashikueshëm. Nuk i duron të drejtët, sepse prishin ekuilibrat e interesave.Kështu, shumë idealistë të rinj ose largohen, ose heshtin, ose më e keqja përshtaten. Dhe politika, në vend që të përmirësohet nga brezi i ri, e asimilon edhe atë, duke e kthyer në pjesë të së njëjtës skemë. Në këtë realitet, politika shqiptare ngjan me një rreth të mbyllur që riciklon fytyra dhe fjalë, por jo vlera.Qytetari sheh të njëjtët njerëz, me të njëjtat premtime dhe pyet me të drejtë se ku janë idealet?
Më e rrezikshmja nuk është mungesa e idealeve, por pranimi i faktit se ato nuk vlejnë më.Cinizmi politik është bërë mënyrë jetese. Kur dëgjojmë për korrupsion, për mashtrim elektoral apo për mungesë përgjegjësie, nuk habitemi më, dhe kjo është shenja më e keqe.
Sepse kur shoqëria pushon së kërkuari moral dhe përgjegjësi, ajo në heshtje e pranon degradimin.
Megjithatë, jo gjithçka është humbur. Në çdo brez ka njerëz që ende besojnë se politika mund të jetë shërbim publik, jo karrierë personale. Ka aktivistë, gazetarë, intelektualë dhe qytetarë që nuk dorëzohen.
Idealet mund të jenë të lodhura, por nuk janë të vdekura. Ato mund të rikthehen nëse qytetari e kërkon politikën ndryshe ,më të ndershme, më transparente, më njerëzore.Sepse politika është pasqyra e shoqërisë që e prodhon. Nëse ne si qytetarë ndalojmë së besuari në ideale, edhe politika do t’i humbasë përgjithmonë. Por nëse i kërkojmë dhe i mbrojmë, ato do të rikthehen, ndoshta ngadalë, por me qëndrueshmëri.Dhe ndoshta, ideali më i madh sot është vetë besimi se politika mund të ketë ende ideale.
Ndaje
