Sot desha të mendoj pak më ngadalë

Ndaje

Sot u zgjova me një ndjesi të çuditshme si një ftesë për qetësi. Ndoshta sepse është Dita Botërore e Filozofisë, ndoshta sepse zemra ime kishte nevojë për pak heshtje. Nuk e di. Por di që sot nuk doja të vrapoja. Doja të mendoja. Kam kuptuar se jeta na mëson të ecim shpejt, por filozofia na mëson të ndalemi. Të shohim pas, jo për të keqardhur por për të kuptuar. Të shohim përpara jo për të planifikuar, por për të reflektuar. Të jemi të pranishëm aty ku jemi, me gjithçka që jeta na ka dhënë. Dhe mendoj shpesh sa e bukur është ai çast kur ndalon dhe pyet: “Pse bëj gjithë këtë zhurmë? Për çfarë nxitimi?” Dhe përgjigjja nuk vjen menjëherë por ndoshta as nuk duhet.
Sepse filozofia nuk është për t’u përgjigjur por për të kuptuar më thellë. Sot, ndërsa shikoja njerëzit që rendnin nëpër rrugë, unë doja vetëm të ulesha diku dhe të pija një kafe në paqe. Të mendoja për gjërat që kam humbur, për ato që kam fituar, për miqësitë që më kanë mësuar të jem më e mirë. Të mendoja për heshtjet që më kanë folur më shumë se fjalët. Sepse filozofia për mua është të dish të dëgjosh, të ndjesh, të mos harrosh se edhe në mes të nxitimit, ekziston një shpirt që kërkon kuptim. Ajo nuk është luks i mendjes por ushqim i shpirtit. Sot desha të mendoja pak më ngadalë. Të mos kërkoja përgjigje. Të mos nxitoja. Thjesht të kujtoja se jeta nuk është për t’u kaluar por për t’u kuptuar. Dhe ndoshta ky është mësimi më i ëmbël që filozofia mund të na japë,se çdo ditë mund të jetë më e bukur, nëse mësojmë të mendojmë me zemrën. Sepse të filozofosh nuk është vetëm të mendosh më shumë por të jetosh më me dashuri.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit