Forca që na mban brenda normave shoqërore.

Ndaje

Në botën e kriminologjisë, një nga pyetjet më të rëndësishme ka qenë. Përse shumica e njerëzve nuk bëjnë krime, pavarësisht se mundësia për devijim ekziston për të gjithë?
Travis Hirschi, me teorinë e tij të Lidhjeve Njerëzore u përpoq të jepte një përgjigje të qartë që njerëzit nuk i shkelin normat sepse janë të lidhur me shoqërinë dhe individët përreth tyre. Sa më të forta të jenë këto lidhje, aq më e vogël është probabiliteti i devijimit. Hirschi identifikoi katër komponentë kryesorë që krijojnë lidhjet njerëzore dhe funksionojnë si “frena” për devijimin: Lidhja me të tjerët Ky komponent përqendrohet tek marrëdhëniet emocionale që individi ka me familjen, miqtë, mësuesit dhe komunitetin e tij. Kur dikush ka marrëdhënie të forta dhe të shëndetshme, ai ndjen përgjegjësi për të mos i zhgënjyer ata. Për shembull, një adoleshent që respekton dhe e do nënën dhe babanë e tij do të jetë më i predispozuar të ndjekë ligjin dhe të shmangë shfaqjen e sjelljeve antisociale sepse veprimet e tij mund të dëmtojnë emocionet e të dashurve. Lidhja emocionale gjithashtu përfshin respektin për mësuesit dhe mentorët. Nxënësit që ndihen të vlerësuar dhe të lidhur me mësuesit e tyre janë më pak të prirur të bëjnë sjellje devijante në shkollë, pasi ata nuk duan të humbasin këtë lidhje të rëndësishme. Përkushtimi ndaj qëllimeve të ligjshme Përkushtimi lidhet me investimet që individi bën në jetën e tij të ligjshme si arsim, karrierë, sport, projekte komunitare apo aspirata personale. Sa më shumë të ketë investuar dikush në ndërtimin e së ardhmes së tij, aq më shumë ka për të humbur nëse del nga rruga e ligjshme. Një shembull praktik është , një student që punon për të përfunduar një diplomë universitare ose një sportist që përgatitet për një kampionat kombëtar ka shumë më pak gjasa të përfshihet në vjedhje ose drogë, sepse një veprim i tillë do të dëmtonte investimet e tij. Kjo tregon se vetëm dëshira për të ruajtur investimet e arritura mund të funksionojë si një mburojë efektive kundër devijimit. Angazhimi në aktivitete të ligjshme. Ky faktor lidhet me kohën dhe energjinë që individi shpenzon në aktivitete produktive dhe të ligjshme. Kur dikush është i zënë me punë, shkollë, sport, aktivitete artistike ose projekte komunitare, nuk ka kohë ose mundësi të përfshihet në sjellje antisociale. Shembull janë fëmijët që kalojnë shumicën e kohës në aktivitetet e klubit të sportit ose në projekte të shkollës kanë një probabilitet më të ulët të shfaqin sjellje kriminale, sepse aktivitetet e tyre ligjore “zënë vend” në jetën e tyre dhe ulen mundësitë për devijim. Angazhimi gjithashtu i jep individit një ndjenjë kuptimi dhe identiteti. Ata që ndihen të dobishëm dhe pjesë e komunitetit janë më të predispozuar të respektojnë normat dhe të kontribuojnë në mirëqenien e të tjerëve. Besimi në normat shoqërore . Ky komponent përqendrohet tek perceptimi i individit për drejtësinë dhe vlefshmërinë e ligjeve dhe normave. Kur dikush beson se ligjet janë të drejta dhe të vlefshme, ka më shumë gjasa t’i respektojë ato. Në rast të kundërt, mungesa e besimit mund të çojë në shfaqjen e sjelljeve antisociale. Për shembull, në një lagje ku ligjet nuk respektohen dhe krimi duket i papreksshëm, fëmijët mund të mësojnë se devijimi është i pranueshëm dhe i pafajshëm. Por nëse ata rriten në një mjedis ku normat respektohen dhe veprimet e ndëshkueshme ndëshkohen, probabiliteti i devijimit ulet ndjeshëm. Teoria e Hirschit ka pasur ndikim të madh në programet e parandalimit të krimit. Ajo sugjeron që për të parandaluar devijimin dhe kriminalitetin duhet të:

  1. • Forcohen lidhjet familjare, prindërit duhet të jenë të pranishëm emocionalisht dhe të angazhuar në jetën e fëmijëve.
  2. • Inkurajohet angazhimi në aktivitete pozitive si sport, art, projekte komunitare, vullnetarizëm.
  3. • Edukohen të rinjtë mbi normat morale dhe shoqërore, duke krijuar besim tek drejtësia dhe ligjet.
  4. • Mbështeten mentoritë dhe marrëdhëniet me figura të respektuara, të cilat veprojnë si shembuj pozitivë.

Në këtë mënyrë, Teoria e Lidhjeve Njerëzore tregon se kriminaliteti nuk ndodh vetëm për shkak të natyrës së individit por shpesh për shkak të dobësimit të lidhjeve shoqërore. Marrëdhëniet e shëndetshme, angazhimi i aktiv dhe investimi personal funksionojnë si mekanizma natyralë kontrolli, duke mbajtur individin në rrugën e ligjshme.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit