Përse disa krime fillojnë në zemra të shkëputura?

Ndaje

Ndonjëherë më duket se krimi nuk lind në errësirë por në zbrazëti. Në atë hapësirë të heshtur mes një fëmije dhe prindit të tij të lodhur,mes një adoleshenti dhe një shkolle që nuk ka kohë ta dëgjojë, mes një të riu dhe një shoqërie që i tregon çdo ditë se nuk ka vend për të. E pikërisht këtu, në këtë zbrazëti, Teoria e lidhjeve njerëzore e sociologut Travis Hirsçit bëhet më aktuale se kurrë. Hirsçi thotë se njerëzit nuk bëjnë krime jo sepse nuk munden, por sepse diçka ose dikush i lidh me botën. Dhe kur këto lidhje shkëputen, devijimi nuk është një zgjedhje e çuditshme por thjesht një rrëshqitje e pashmangshme. E shohim çdo ditë, kronika të zeza me të rinj që vjedhin biçikleta, shesin drogë, hyjnë në banda, humbin jetën për një konflikt 20-sekondësh. Shpesh reagojmë me habi, sikur këta njerëz të kenë ardhur nga një planet tjetër por nëse do ta vëzhgonim jetën e tyre nga afër, ndoshta do të gjenim se atyre u ka munguar pikërisht ajo që Hirschi e quan lidhje ,struktura të padukshme që mbajnë njeriun brenda normave. Një djalë që rritet me një nënë që punon me dy turne,një vajzë që nuk gjen kurrë një mësues që ta vlerësojë,një fëmijë që nuk ka asnjë aktivitet, as sport, as art, asgjë që ta impenjojë mendjen,një adoleshent që sheh çdo ditë padrejtësi, korrupsion, humbje besimi tek ligji. Këto nuk janë thjesht histori por thyerje të vogla, të heshtura, të cilat me kalimin e kohës bëhen çarje të mëdha. Hirsçi do të thoshte se këta të rinj nuk janë lindur kriminelë por thjesht nuk ndjejnë se kanë diçka për të humbur. Sepse kur njeriu është i lidhur me dikë, ai mendon dy herë.
Kur është i përkushtuar ndaj një qëllimi, ai frenon. Kur është i angazhuar, nuk ka kohë për devijim. Kur beson tek drejtësia, nuk kërkon rrugë të tjera. Në realitetin tonë të sotëm, këto katër “lidhje” janë më të brishta se kurrë. Familjet janë të lodhura, shkollat janë formale, komunitetet janë të ç’strukturura, dhe besimi tek institucionet është i rrënuar. Në një shoqëri ku gjithçka është bërë më individuale, më e vrullshme, më e shkëputur, shumë të rinj rriten pa rrënjë dhe një njeri pa rrënjë është gjithmonë i lëkundur. Kur dëgjoj për krime të të rinjve, nuk mendoj menjëherë për dënim por për boshllëk. Për atë hapësirë të padukshme ku duhet të ishte një prind, një mësues, një mentor, një komunitet, por ku nuk kishte askënd. Hirschi na kujton se parandalimi i krimit nuk fillon me policinë por me kujdesin.
Me një darkë familjare të përditshme. Me një trajner sportiv që thotë “ ti mundesh”. Me një mësuese që vëren heshtjen e një nxënësi.
Me aktivitete që i japin një të riu ndjesinë e vlerës. Me një shoqëri që i jep shembuj dhe jo justifikime. E pra, teoritë kriminologjike janë të ftohta por realiteti njerëzor është tronditës. Dhe kjo teori, sa shkencore aq edhe njerëzore, i vë gishtin plagës ku krimet e sotme janë plagë të lidhjeve të dobëta. Prandaj, në vend të pyetjes “pse e bëri?”, ndoshta duhet të pyesim se kush dhe cfarë i mungoi?
Sepse shpesh, krimi nuk fillon me një akt por me një mungesë.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit