Ndriçimi i Versajës dhe aroma që historia nuk e fsheh dot.

Ndaje

Rreth dy muaj më parë, teksa ecja nëpër korridoret e Pallatit të Versajës, ciceroni ynë u kthye nga grupi dhe me një buzëqeshje ironike tha: “Mos u gënjeni nga ari. Francezët nuk kanë qenë kurrë të pastër.”
Të gjithë qeshëm, por qeshja na ngriu në buzë sapo ai nisi të tregonte të vërtetat e epokës ku shkëlqimi barok nuk arrinte të mbulonte aromën e padurueshme që mbretëronte në këtë vend dikur. Versaja është sinonim i madhështisë. Galeria e Pasqyrave me dritën e saj verbuese, korridoret që duket sikur përshkojnë një botë tjetër, kopshtet që shtrihen si një përrallë e perfektë e gdhendur me gërshërë. Sot është e pamundur të mos mahnitesh. Por në shekujt XVII dhe XVIII, kjo bukuri ishte veç shtresë ari mbi një realitet të papastruar. Në këtë perandori të artit, muzës dhe etiketës, higjiena ishte e para që mungonte. Pallati pothuaj nuk kishte tualete. Disa dhoma të vogla, të quajtura garderobe, përdorur nga aristokratët, nuk mjaftonin për mijëra njerëz që lëviznin çdo ditë brenda tij.
Pjesa tjetër? Kryenin nevojat në enë të vogla portative që pastaj zbrazeshin në cepat e oborreve mbretërore me një shtrirje kilometrike.Kopshtet madhështore të Versajës, sot simbol i përsosmërisë franceze, dikur ktheheshin në tualete të hapura gjatë festave të oborrit. Ndërsa korridoret e gjata e të fshehta, kolona të mëdha e perde të rënda shërbenin si strehë për urgjencat e shumëfishta të atyre që nuk e duronin dot ritualin e gjatë të banketeve mbretërore. Në Galerinë e Pasqyrave, aty ku sot vizitorët ngrenë qafën për të parë tavanet e mrekullueshme, dikur përhapej një aromë që nuk do të dëshironit kurrë ta kishit përballë. Oborrtarët vishnin shtresa të pafund rrobash të rënda, lëkurë, kadife dhe atllasi, që nuk lahen as shpesh, as mirë. Parfumet nuk ishin thjesht zbukurim i elitës por një mburojë e dëshpëruar ndaj erës së trupit, që grumbullohej nën veshjet e ngarkuara dhe nën fundet e grave ku asgjë nuk pastrohej, vetëm perfumohej pafund. Abanikot që shohim sot në filma si aksesori i sharmit, në të vërtetë ishin mjete mbijetese për të shpërndarë aromat e rënda që ngriheshin në ajër dhe për të larguar insektet që mbushnin sallat e oborrit. Dush? Herë pas here sepse në Francën e atyre shekujve, uji shihej me dyshim të madh. Besohej se hapte poret e trupit dhe sillte sëmundje. Njerëzit laheshin rrallë, shpesh vetëm një herë në vit. Prandaj martesat bëheshin në qershor, sepse maji ishte muaji kur familjet laheshin. Dhe megjithatë, aroma s’ishte aspak e këndshme. Për ta fshehur, nuset mbanin buqeta të mëdha me lule afër trupit, dhe prej këtu lindi një nga traditat më të përhapura të botës moderne,buqeta e nuses. Ironikisht, shumë risi të sotme lindën pikërisht nga kjo mungesë higjene.Ushqimet përgatiteshin në pjata kallaji që oksidoheshin me domatet dhe shkaktonin helmime. Njerëzit humbisnin ndjenjat nga kombinimi i alkoolit me metalin dhe shpesh përgatiteshin për varrim ndërsa ishin ende gjallë. Prandaj njeriu vdekur vendosej mbi tryezë, në pritje të zgjimit të mundshëm, traditë që dha emrin “wake”. Po ashtu, gërvishtjet në kapakët e arkivoleve çuan në idenë e kambanave të lidhura në dorën e “të vdekurit”, nga ku erdhi shprehja “saved by the bell”. Teksa ciceroni na shpjegonte këto histori ,kishim ende para syve madhështinë e sallave ku kishim ecur pak minuta më parë por një mendim më mbeti pezull. Bukuria e Versajës është një magji që sot frymëzon por dikur ishte thjesht maskë. Një shfaqje arti që ndriçonte fort sa të mos dukej errësira, aroma, dhe kaosi i jetës së vërtetë mesjetare. Por ndoshta kjo është arsyeja pse ky vend na mbërthen kaq shumë. Sepse historia nuk është e përsosur por e gjallë, njerëzore, kontradiktore. Dhe Versaja mbetet shembulli më i mirë se si shkëlqimi mund të jetë hyjnor, por në të njëjtën kohë, krejt njerëzor,madje edhe pak aromatik.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit