Lasko, altari i hershëm i artit dhe besimit njerëzor

Ndaje

Thellë në zemrën e Dordogne-s në Francë, ndodhet një nga mrekullitë më të lashta të njerëzimit.Shpella Lasko, një galeri e gdhendur nga dora e natyrës dhe e pikturuar nga dora e njeriut, rreth 15.000 vjet para erës sonë. Ajo që sot duket si një hapësirë e heshtur nëntokësore, dikur ka qenë një tempull i imagjinatës, frikës, shpresës dhe artit të popujve të Paleolitikut. Pikturat e Laskos janë dëshmi se njeriu i lashtë nuk ishte thjesht gjuetar që luftonte për mbijetesë por krijues, mendimtar e ndoshta edhe besimtar. Muret e shpellës janë të mbushura me bizonë, drerë, kuaj dhe figura të tjera, të realizuara me pigment natyral, me një mjeshtëri që sfidon kohën. Vizatimet përshkruajnë lëvizjen me saktësi të pabesueshme , një kuptim i trupit të kafshëve që artistët e Laskos e kanë zotëruar shumë kohë përpara se arti “modern” të shpikej. Por ajo që e bën Laskon të veçantë nuk është vetëm bukuria vizuale. Arkeologët janë të bindur se kjo shpellë ka qenë një hapësirë rituale, një vend ku njeriu i lashtë komunikonte me botën e padukshme. Disa figura janë të vendosura në vende të vështira për t’u arritur, gjë që tregon se pikturat nuk kishin vetëm funksion artistik por edhe magjik. Pikturat e kafshëve mund të kenë qenë një akt simbolik për t’i “kapur” ato shpirtërisht, përpara se të niseshin në gjueti, një besim arkaik që përziente artin me fene. Shpella Lasko nuk është thjesht një faqe e historisë së artit. Ajo është një dritare drejt shpirtit të njeriut. Aty shohim fillimet e mendimit simbolik, të imagjinatës kolektive, të përpjekjes për t’i dhënë formë botës përmes ngjyrës dhe figurës. Ky vend na kujton se trashëgimia jonë nuk fillon me qytetërimet e mëdha, por shumë më herët, në errësirën e shpellave, ku njerëzit pikturonin dritën. Sot Lasko është një nga pasuritë më të mëdha të trashëgimisë botërore, një kujtesë se njeriu, që në zanafilla, ka kërkuar të kuptojë veten dhe universin përmes artit dhe se krijimtaria është po aq e vjetër sa vetë qeniet tona.
Në këtë shpellë të heshtur prej 15 mijë vitesh, ende dëgjon zërin e parë të njerëzimit, të pikturuar por jo të shkruar.

Marieta Mërkuri
Marieta Mërkuri
Profesioniste në fushën e medias dhe edukimit, me përvojë të gjatë në gazetari, bibliotekonomi dhe zhvillimin e projekteve edukative me fokus në etikën dhe komunikimin.

Brenda Temës

Të Fundit