Ka disa gjëra në jetë që janë më të mëdha se çdo pushtet, më të shenjta se çdo ligj dhe më të rrënjosura se çdo ideologji. Njëra prej tyre është familja.
Ajo nuk është vetëm një njësi shoqërore e përmendur në ligje e statistika. Është vendi ku njeriu mëson dashurinë e parë, respektin, përkushtimin, sakrificën dhe përgjegjësinë. Është institucioni më i vjetër dhe më i qëndrueshëm që ka njohur njerëzimi prandaj kur politika nis të shfaqë ambicien për të “riformatuar” familjen, për t’i dhënë asaj “kuptime të reja”, për ta shpërbërë për ta rindërtuar sipas modeleve të huaja, lind frika.Frika se po prek diçka që nuk i përket më asnjë mazhorance, asnjë partie, asnjë qeverie por gjithë shoqërisë shqiptare në rrënjë.
Por familja nuk është projekt politik
Në vitet e fundit, shumë ligje e nisma janë prezantuar me fjalë të bukura si barazi, përfshirje, modernizim por në thelb të disa prej tyre fshihet një rrezik i heshtur,zëvendësimi i vlerave tradicionale me koncepte artificiale të importuara.
Këto nuk vijnë si fryt i zhvillimit tonë natyror por si receta që kërkojnë të imponojnë mënyrën si duhet të mendojmë, të jetojmë e madje të edukojmë fëmijët tanë. Familja shqiptare, ajo e ndërtuar mbi dashurinë, respektin dhe përgjegjësinë,është institucioni më i rëndësishëm që ka mbajtur bashkë kombin në kohë lufte, varfërie dhe ndryshimesh të mëdha.Nëpër shtëpitë e saj janë ruajtur gjuha, besa, kujtesa dhe morali. Aty janë mësuar vlerat që nuk i mëson dot asnjë shkollë dhe nuk i imponon dot asnjë ligj. Të prekësh familjen, do të thotë të prekësh zemrën e kombit.Askush nuk është kundër barazisë gjinore apo të drejtave njerëzore. Ato janë arritje që duhen mbrojtur. Por, gjithnjë e më shpesh, në emër të këtyre parimeve po tentohet të futen në tekstet ligjore nocione që relativizojnë çdo gjë, gjininë, identitetin, rolet natyrore të burrit e gruas, madje edhe konceptin e prindërimit.Kjo nuk është barazi por shkëputje nga realiteti, një përpjekje për t’u ndarë nga natyra njerëzore e për ta zëvendësuar atë me një ndërtim ideologjik. Shoqëria shqiptare, me gjithë dëshirën për t’u modernizuar, nuk mund të heqë dorë nga rrënjët e veta morale. Ne kemi kaluar nga diktatura në demokraci, nga izolimi në hapje, por kemi mbetur gjallë sepse familja nuk u shemb kurrë.Në momentin që preket familja, gjithçka tjetër humbet kuptimin.
“Mos ma prek familjen”,nuk është thirrje kundër progresit. Është një kufi i shenjtë që shoqëria i vendos pushtetit.Është një mënyrë për të thënë mund të rishikosh ligje, mund të ndryshosh sisteme, mund të ristrukturosh institucione por nuk mund të prekësh themelet morale të ekzistencës njerëzore. Shteti duhet të mbrojë familjen, jo ta riformulojë. Të garantojë mirëqenie, arsim, siguri dhe mbështetje, jo të shndërrohet në inxhinier të rolit gjinor apo të marrë përsipër të ridizenjojë identitetin njerëzor. Këto janë gjëra që i përkasin shpirtit, ndërgjegjes dhe lidhjes së natyrshme midis njeriut dhe krijimit. Ndaj Zoti President, Zonja dhe zotërinj ligjvënës, Para se të votoni, të firmosni apo të promovoni çdo nismë që prek strukturën themelore të familjes shqiptare, ndaluni një çast dhe pyesni veten. A po i bëjmë mirë kësaj shoqërie? A po ndërtojmë apo po shkatërrojmë?
A po e forcojmë dashurinë dhe përgjegjësinë apo po i relativizojmë ato në emër të trendeve të momentit? Sepse mund të ndërtoni ligje, por nëse shembni familjen keni shembur gjithçka.
Familja nuk është mit por themel. Nuk është pengesë për progresin por garanci për humanizmin.
Nuk është çështje ideologjie por rrënjë ekzistence. Mos ma prek familjen,sepse ajo është gjëja e fundit që i ka mbetur të shenjtë këtij vendi.
Ndaje
